Në një prej bisedave të përgjuara që i publikoi lideri opozitar Zoran Zaev, mes ministres së brendshme Gordana Jankulloska dhe drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkopv, shefi i policisë sekrete ankohet se kuadri është i plotë, pa të cilin nuk mund të punohet “as fluturaket e as helikopterët”.

Në çfarë fluturake mendon Mijalkov në bisedën me ministren?

Ish pjesëtar të komunitetit të inteligjencës në vend për “Meta” thonë se bëhet fjalë për fluturake pa pilot (dronë), që shërbimet e sigurisë i kanë blerë në vitet 2007/2008.

Nëse këto fluturake ekzistojnë atëherë blerja dhe përdorimi i tyre klasifikohet si sekret shtetërorë.

Se shërbimet e vendit posedojnë pajisje të këtillë në opinion flitet tanimë disa vite, por konfirmim zyrtar për këtë deri më tani nuk ka arritur nga asnjë institucion. Gjithashtu deri më tani askush nuk i ka mohuar këto pohime.

Pas konferencës së shtypit të Zaevit, ku u publikua regjistrimi në të cilin Mijalkov flet për “fluturaket”, VMRO DPMNE lëshoi njoftim ku akuzon Zaevin se po bën destabilizim dhe tentim për shkaktim të krizës.

“Zaev sot pa leje zbuloi informacione për kapacitetin e shërbimeve të sigurisë, duke tentuar të cenoj funksionimin e tyre. Zaev sot në mënyrë krejt të paturpshme sërish duke mos mbajtur llogari për interesat e shtetit, zbuloi informacione për planet për riekipimin kadrovik të shërbimeve të sigurisë dhe rritjen e operacioneve të tyre. Kjo është sjellje klasike kundër- shtetërore dhe qytetarët këtë e vërejnë dhe për këtë nuk e mbështesin”, thuhet në njoftim.

Para disa viteve, kur në rrethin e hekurudhës “Makstil” ndodhi fatkeqësi me një pjesë e predhave balistike të prodhimit rus, që ka arritur si hekur i vjetër, informacioni i parë që u paraqit nëpër mediume ishte se ka rënë një prej fluturakeve pa pilot të policisë.