fbpx

Fotografitë e publikuara nuk paraqesin sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës

-

*Përgatiti: Ridona Berisha

Me datë 24 shtator 2023, rreth orës 02:34 të mëngjesit, një grup prej rreth 30 pjesëtarëve të uniformuar kanë sulmuar të dielën pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Për pasojë, polici Afrim Bunjaku ndërroi jetë dhe një polic tjetër u plagos. Ky sulm u vlerësua sipas institucioneve të Kosovës si akt terrorist.

Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, përmes së cilës ka treguar se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamion (pa targa) duke e bllokuar rrugën që shpie për tek fshati.

Pas pranimit të informacionit Njësitë e rendit të Stacionit Policor në Zveqan i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada ata janë sulmuar.

“Njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë,” thuhet në komunikatën e PK-së.

Grupi i cili ka sulmuar PK-në është raportuar se është fshehur brenda Manastirit të Bajnskës. Këtë e ka konfirmuar edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cili deklaroi se “një numër i tyre janë të barrikaduar brenda manastirit në Banjska edhe sipas deklarimeve zyrtare të Dioqezës Rashkë-Prizren. Këta terroristë janë të rrethuar nga njësitë policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen.”

Policia e Kosovës përmes një tjetër komunikate ka informuar që gjendja në veri vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa ka bërë të ditur se tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur në posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupin terrorist.

Pas lajmit për vrasjen e këtyre pjesëtarëve, portale të ndryshme duke u munduar të përfitojnë nga kjo ngjarje kanë publikuar fotografi të të vrarëve duke pretenduar se janë nga grupi që sulmoi PK-në në veri të Kosovës.

Fillimisht përmes një mbishkrimi, “Ky është terroristi tjetër i vrarë, ishte bërë gati ti sulmonte me zollë Policinë!”portalet në gjuhën shqipe dezinformuan duke e bashkëngjitur fotografinë e shkrepur shumë vite më herët dhe në zona tjera të konfliktit.

Image

Kjo u shpërnda edhe nga portale të tjera: Gazeta AktualeDeçaniMërgata PressStrugaLajmUnited States of Albania.

Sipas hulumtimit të Sbunker në Google, të dhënat tregojnë që kjo fotografi është publikuar më 06 prill 2016 në të cilën është një ushtar të Azerbajxhanit i vrarë në vijën e frontit në Nagorno-Karabakh.

Image

Publikimi i fotografive me pretendimin se janë sulmuesit e vrarë ka vazhduar edhe në mediume dhe profile në rrjetet sociale. Faqe të Facebook-ut si Shprehu 02 dhe Gazeta Aktuale, kanë publikuar një tjetër fotografi me mbishkrimin: “Foto ekskluzive: Edhe një terrorist serb i vrarë në veri, gjenden dy trupat e tyre.”

Mirëpo, programi TinEye tregon që foto është publikuar fillimisht me datë 23 mars 2022, dhe paraqet një ushtar rus të vrarë në Ukrainë.

Image

Në kohë tensionesh, është thelbësore që mediat të kenë kujdes se si përçojnë informacionet. Manipulimi dhe dezinformimi janë rreziqe që mund të shkaktojnë huti tek opinioni publik.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.