Në Shën Nikollë tre lumenj u bashkuan dhe shkatërruan urën

Disa lumenj janë ende në gjendje kritike, ndërsa me vëmendje të madhe po ndiqet gjendja e lumit Vardar. Niveli rritet sidomos në Demir-Kapi, Udovë dhe në rajonin e Gjevgjelisë dhe Vallandovës. Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, rajone kritike ku niveli i ujit rrezikon të shkaktojë përmbytje janë ato rrotull lumit Bregallnica, lumit Kriva, lumit Treska në Pllasnicë, si dhe në grykën e Devicës. Në gjendje kritike është edhe lumi Pçinja afër Pelinces dhe në bashkimin me degën e tij të Krivës, në rajonin e Strumicës. Dëmet e shkaktuara tek qytetarët dhe të mbjellat bujqësore do të vlerësohen më pas. Gjatë mëngjesit, qarkullimi u ndërpre për një periudhë kohore. Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave informojnë se nuk kanë munguar as rrëshqitjet e dheut, në autostradën Demir-Kapi- Udovë dhe në rrugën Negotinë- Shtip, në vendin Serta. Autoritetet kanë ndërmarrë masa për pastrimin e rrugës. Nga mëngjesi, në ndërprerje është edhe qarkullimi hekurudhor në drejtimin Demir-Kapi- Gjevgjeli. Qarkullimi bëhet deri në Demir-Kapi prej ku më pas, udhëtarët dërgohen me autobusë deri në Gjevgjeli. Probleme ka edhe në Kumanovë, Shtip si dhe në rajonin e Strumicës dhe Velsit. Rajonet e përmbytura i vizitoi edhe kryeministri Gruevski dhe një pjesë e kabinetit të tij qeveritar. Meteorologët paralajmërojnë se nga fundi i ditës, nën ndikimin e një mase shumë të ftohtë nga veriu, do të ketë erë të fortë e cila gjatë ditëve të ardhshme do të shkaktojë edhe rënie të konsiderueshme temperaturash. Era pritet të jetë e fortë, me shpejtësi mbi 80 km në orë.