“Në dy vitet e fundit jetojmë në krizë serioze shoqërore- politike e cila godet çdo qytetar ndërsa në masë të madhe kjo është si pasojë e funksionit të pamjaftueshëm të parlamentit si vëzhgues i pushtetit ekzekutiv”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në konferencën “Qytetarë të përfshirë për kuvend përgjegjës dhe transparent”, nën organizim të Asociacionit civil “MOST”.
Xhaferi ka shtuar se opozita nuk guxon të jetë dekor, por se ajo ia jep legjitimitetin çdo parlamenti.
“Pa opozitë s’mund të flasim për demokraci parlamentare. Më pas, nuk e kam fjalën për opozitën si dekor e cila vetëm do të jep legjitimitet, por para se gjithash e kam fjalën për rolin e saj aktiv në të gjitha proceset. Por, opozita duhet të jetë e vetëdijshme se shumica parlamentare duhet ta zbatoj dhe ta realizoj programin e saj sepse në bazë të këtij programi populli ia ka dhënë besimin që ta udhëheq shtetin. Me konstituimin e Parlamentit e së shpejti edhe me emërimin e qeverisë së re, do të krijojmë kushte për fillimin e procesit me të cilin si shtet, por edhe si shoqëri, do të kthehemi në rrugën e duhur që çon drejt krijimit të shtetit funksional me institucione të pavarura dhe funksionale që do të punojnë, para se gjithash në të mirën e çdo qytetari”, ka thënë Xhaferi.
Drejtori i Institutit Nacional Demokratik- Maqedoni, Kris Henshou tha se edhe pse vendi ballafaqohet me shumë sfida, ka mundësi të ec përpara.
“Parlamenti në Maqedoni është ai që është i zgjedhur nga qytetarët e nuk është qeveria. Për këtë, Kuvendi duhet ta kontrolloj punën e pushtetit e jo vetëm të shtypen pullat dhe të merren ligje pa debat të vërtetë”, ka deklaruar Henshou.