fbpx

A ia dërgoi Shqipëria Iranit kompjuterat e sekuestruar në Kampin e Mek-ut?

-

Disa media raportuan në korrik se 232 pajisje kompjuterike të sekuestruara gjatë kontrollit në kampin “Ashraf 3“ në Manzë, u dërguan në Iran. Lajmi i paverifikuar, u riciklua edhe nga ish- kryeministri Sali Berisha. Policia e Shtetit, sqaroi zyrtarisht se asnjë pajisje e sekuestruar në kampin ku strehohen anëtarët e MEK, nuk është dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Eksperti i kriminlistikës Ervin Karamuço argumenton edhe nga ana ligjore përse Shqipëra nuk mund t’i çojë kompjuterët në Iran, shtet me të cilin qeveria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike vjeshtën e vitit të kaluar.

Zhvillimet që pasuan ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në kampin “Ashraf 3” në Manzë zunë vend në formën e raportimeve spekulative në disa raste nga mediat. Mirëpo as politika nuk i shpëtoi atyre. Në fillim të muajit korrik, deputeti demokrat, Sali Berisha deklaroi se ka informacione që kompjuterët e sekuestruar në kampin MEK janë dërguar drejt Iranit. Për këto informacione, lideri historik i PD-së i referohej një komunikate nga zëdhënësi i qeverisë iraniane.

“232 kompjuterë të qendrës së Manzës kanë përfunduar në Teheran, sipas një komunikate të zëdhënësit të qeverisë. Në rast se është e vërtetë përbën një akt të tradhtisë më të lartë që mund t’i bëhet lirisë, që mund të bëhet ndonjëherë në Shqipëri, ndaj një grup njerëzisht rezistentë të njërit prej regjimeve më gjakësore”, deklaroi ndër të tjera Berisha më 6 korrik.

Këto pretendime të ish-kryeministrit u publikuan në disa media online në vend, ku nëpërmjet titujve bëhej fakt i kryer që kompjuterët ishin dërguar në Iran.

“Berisha: Tradhti! Rama i dha Iranit kompjuterët e ‘MEK’-ut”-shkruan portali ‘5 Pyetjet’.

Burimi: 5 Pyetjet.al

I njëjti lajm është publikuar edhe nga portale të tjera, ku narrativa ishte e njëjtë: “që kompjuterat e sukuestruar kishin përfunduar në Iran”. Në këtë rast mediat janë mjaftuar me lajmin “bombastik”, madje duke abuzuar me titujt.

“Akt tradhtie, 232 kompjuterë të qendrës MEK kanë përfunduar në Teheran”-Berisha: OKB të ndërmarrë një hetim të shpejtë”-shkruan “Gazeta Panorama Online”.

Burimi: Panorama

Jo vetëm mediat, por edhe faqja zyrtare e Partisë Demokratike e ka shpërndarë këtë informacion, ndonëse në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se është thjesht një informacion që qarkullon prej autoriteteve shtetërore iraniane.

“Berisha: Rama dorëzoi kompjuterët e muxhahedinëve në Iran, ky është akti më i lartë i tradhtisë”, shkruan PDSH.al.

Burimi: PDSH.al

Përpos mediave online, lajmi i pakonfirmuar mbi dërgimin e pajisjeve elektronike në Iran, zuri vend edhe në kronikat e televizioneve.

“Irani merr nga Shqipëria pajisjet elektronike të konfiskuara në kampin e MEK-ut në Manzë”-raportoi Top News.

Burimi: “Top News

Si u transformua informacioni për kompjuterat e Mek

Pretendimi se kompjuterat e sekuestruar nga policia shqiptare ishin dërguar në Iran u ngrit fillimisht nga Sepehr Khalaji, kreu i Këshillit të Marrëdhënieve Publike të qeverisë iraniane, nëpërmjet një postimi në Twitter më 3 korrik, shkruar në persisht.

Postimi i shpërndarë nga qeveria iraniane

Në përkthimin nga persishtja përmes Google Translate, citohet ndër të tjera se një pjesë e materialeve kompjuterike që u konfiskuan në ‘Ashraf 3’ në Manzë kanë mbërritur në Iran.

Më pas, ky informacion qarkulloi kudo në Twitter nga mbështetës të qeverisë së Iranit.

Postimet e shpërndara në rrjetet

Gjithashtu, lajmi u publikua edhe në mediat iraniane, duke i dhënë zë vetëm palës së tyre të interesit. Edhe në disa artikuj të shpërndarë në anglisht thuhet: “Autoritetet konfiskuan 150 pajisje kompjuterike nga grupi i mbështetur nga Perëndimi, që Irani e njeh si një organizatë terroriste”. Mirëpo, në të gjitha publikimet, jepej vetëm versioni i njërës palës.

Reagimi i Policisë së Shtetit

Pas këtyre informacioneve të shpërndara në mediat shqiptare, reagoi zyrtarisht Policia e Shtetit, duke hedhur poshtë akuzat për dërgimin e pajisjeve në Iran.

“Asnjë nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara dhe asnjë material i nxjerrë nga këto pajisje, nuk është dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Të gjitha njoftimet që qarkullojnë në rrjete sociale dhe media për sa më sipër, janë jo vetëm të rreme, por dhe në raste specifike kanë qëllime të tjera të cilat shkojnë përtej informimit të publikut”, sqaroi Policia e Shtetit më 6 korrik.

Në lidhje me këtë çështje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion SPAK, ku ndër të tjera e pyetëm nëse është dërguar ndonjë letër-porosi nga autoritetet e Iranit në lidhje me hetimet për veprimtarinë e anëtarë të MEK që jetojnë në kampin “Ashraf 3”.

Në lidhje me kompjuterat, SPAK sqaron: “Pajisjet kompjuterike të sekuestruara gjatë kontrollit po ekspertohen nga Instituti i Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit”.

Kërkesa për informacion dërguar SPAK

Sa gjasa ka që kompjuterët të dërgohen në Iran?

Ervin Karamuço, ekspert i kriminalistikës thotë për Faktoje se autoritetet shqiptare e kanë të pamundur të dërgojnë prova materiale në një vend, me të cilin ka ndërprerë çdo marrëdhënie diplomatike.

“Opinioni im është që Policia e ka të pamundur, përfshirë edhe SPAK të dërgojë prova materiale, qoftë dhe për ekspertizë në një vend me të cilin ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike apo marrëveshje për ndihmë forensike (*aplikimi i metodave/teknikve shkencore për investigimin e veprës penale). Procedurialisht, kemi patur raste kur për telefona, kompjutera dhe pajisje të tjera përgjimi kemi kërkuar ndihmën e laboratorëve të certifikuar evropian dhe izraelitë për ekspertizë të kualifikuar.

Këto procedura janë kryer nën drejtimin e prokurorit dhe me vendimin e posaçëm të gjykatës. Në asnjë rrethanë tjetër një veprim i tillë është i mundur”, argumenton Karamuço.

Por cili është opinion i Karamuços në lidhje me mënyrën se si u raportua  në media për këtë çështje?

“Mendoj se ky lajm është përhapur si dezinformacion për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë si vend që bashkëpunon me Iranin. Ky lajm është përhapur nga MEK dhe ende sot nuk janë sjellë fakte dhe në mungesë të tyre nuk i është kërkuar ende falje qeverisë shqiptare”.

Më 20 qershor, drejtori i Përgjithshëm i policisë, Muhamet Rrumbullaku bëri të ditur se gjatë operacionit në kampin e MEK policia ka sekuestruar 96 njësi kompjuterike dhe jo 232, një tjetër element I pasaktë në deklaratën e deputetit Sali Berisha, njëlloj si informacioni i përhapur nga media të ndryshme, përfshirë edhe ato pro qeverisë iraniane.

ИзворFaktoje.al

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.