fbpx

RMV, OJQ-të dënojnë gjuhën e urrejtjes, organet kompetente mbyllin sytë para përhapjes së këtij fenomeni

-

Fenomeni i gjuhës së urrejtjes është vendosur sërish në fokus ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, pasi përdorimi i saj është shtuar me paraqitjen e pandemisë së virusit korona. Me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19, makineria propagandistike, pjesë e së cilës janë edhe një seri mediash me ndikim me pronësi të pjesshme hungareze, këto ditë me intensitet të madh i akuzon myslimanët, posaçërisht shqiptarët etnikë dhe romët, si bartësit kryesorë të koronavirusit të ri dhe fajtorët për intensifikimin e epidemisë.

Megjithatë, reagimet e ashpra vërshuan në opinion, kur përdorimit të gjuhës së urrejtjes në lidhje me këtë situatë iu bashkangjit edhe anëtarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, profesoresha Katica Qullavkova. Cicërima e saj në twitter, ku thotë se “Çmimi i bashkëjetesës po na kushton me jetë”, u kritikua në opinion dhe u vlerësua si nxitje e mosdurimit mes bashkësive etnike.

Organizatat joqeveritare, duke dënuar këtë akt të Qullavkovës, thonë se për rritjen e gjuhës së urrjetjes, kontribuon edhe fakti se jemi në periudhën parazgjedhore.

Komiteti i Helsinkit, nëpërmjet një komunikate, ka thënë se, tensionet e shkaktuara nga masat restriktive në mënyrë graduale janë zhvendosur në sferën e nacionalizmit. Në këtë situatë, sipas tyre, kanë kontribuar shumë faktorë: heshtja e institucioneve para vullnetit të autoriteteve fetare që vepruan në kundërshtim me të gjitha rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit publik, funksionimin e shtetit me një qeveri teknike, mbulimin selektiv të mediave dhe prezencën masive të dezinformimeve dhe nxitjen e gjuhës së urrejtjes. mbi baza etnike nga figurat publike.

Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut
Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut

Njëherit, Komiteti i Helsinkit ka parashtruar edhe padi ndaj Qullavkovës.

“Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka ngritur padi ndaj akademikut Katica Qulavkova për deklaratën e saj në rrjetet sociale, me të cilën nxit jotolerancën mes bashkësive etnike. Cicërima e saj “Çmimin e bashkëjetesës po e paguajmë me jetë.” implikon se arsyeja e përhapjes së virusit janë marrëdhëniet ndëretnike dhe jo mosrespektimi i masave në përgjithësi. Duke pasur parasysh se në shtetin tonë dominon gjuha e urrejtjes pikërisht në bazë etnike, përhapja dhe nxitja e një gjuhe të tillë ka peshë të veçantë, sepse çon drejt krimit nga urrejtja, përkatësisht drejt ndezjes së pasioneve nacionaliste. Ndërsa ato për nga definicioni janë shkatërruese për strukturën e ndjeshme shoqërore dhe kanë potencial që të dëmtojnë sigurinë nacionale. Posaçërisht është e rrezikshme kur atë gjuhë e përdorin intelektualë, politikan, gazetar dhe persona të tjerë me ndikim më të madh shoqëror”, shkruan Komiteti i Helsinkit.

Ndërkohë, Xhabir Derralla nga Civil, deklaroi për Portalb.mk. se kjo nuk është hera e parë që Qullavkova, shpreh pikëpamjet e saj nacionaliste.

Xhabir Deralla, OJQ CIVIL, foto: Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Xhabir Deralla, OJQ CIVIL, foto: Borçe Popovski, “Kolektif.mk”

“Nuk është hera e parë që ta shohim akademiken Qullavkova në dritë të këtillë. Megjithatë, duke pasur parasysh periudhën parazgjedhore, duke pasur parasysh se edhe gjendja shoqërore edhe ajo politike, por edhe gjendja shëndetësore e shëndetit publik dhe shëndeti publik si temë janë shumë relevante për momentin, pjesëmarrja e saj në rrjetet sociale me porosi të këtilla flet për atë se, zonja Qullavkova përveçse është nacionaliste, ajo duket se është edhe e angazhuar në politikë, sepse zgjedh një moment shumë delikat shoqëroro-politik në vend që të ripërtërij porositë e saja nacionaliste në opinion”, deklaroi Derralla.

Sipas drejtorit të Metamorphosis, Bardhyl Jashari, edhe përkundër faktit që gjuha e urrejtjes përdoret madje edhe nga figura publike dhe të njëjtat shpërndahen në mediume joprofesionale, fatkeqësisht, çdo qeveri deri më tani në Maqedoni ka mbyllur sytë para shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes, edhe pse me ligj paraqet vepër penale.

Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski
Bardhyl Jashari, foto: Vanço Xhambaski

“Askush nuk është marrë në mënyrë sistemore me këtë problem serioz dhe nuk është munduar që të parandalojë burimet dhe shkaqet e përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Kjo fillon në shkollë dhe në familje. Me pak përjashtime, askush nuk është ndëshkuar për përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe kjo edhe më shumë i inkurajon ata që përdorin dhe promovojnë gjuhë të urrejtjes të vazhdojnë me kryerjen e kësaj vepre pa drojë se do të ndëshkohen. Situata përkeqësohet kur shohim se si figura publike, politikanë, akademikë dhe të tjerë përdorin gjuhë të urrejtjes dhe pastaj ajo shpërndahet nga mediat të papërgjegjshme dhe joprofesionale. Një shembull i keq dhe i turpshëm që pastaj ndiqet edhe nga qytetarët, e me këtë fillon spiralja e gjuhës së urrejtjes e cila mund të përshkallëzohet në dhunë. Pra, hapi i parë në mënjanimin e gjuhës së urrejtjes është sistemi arsimor dhe edukata familjare, e pastaj mbetet që institucionet përgjegjëse të bëjnë punën e tyre dhe të ndëshkojnë përdoruesit e gjuhës së urrejtjes dhe nxitësit e dhunës”, deklaroi Jashari.

Qullavkova më 6 qershor 2020 në llogarinë e saj në Twitter postoi një tweet me tekstin ” Çmimin e bashkëjetesës po e paguajmë me jetë”, në përputhje me narrativët që përhapen nga qarqet nacionaliste dhe shoviniste në Maqedoninë e Veriut, sipas të cilëve fajtorë për përhapjen e sëmundjes Covid-19 janë komunitetet etnike që nuk janë maqedonas etnikë dhe të krishterët. Megjithatë, pas reagimeve të shumta që mori në opinion, Qullavkova më vonë fshiu këtë cicërimë dhe menjëherë pas asaj kishte postuar: “Tweet-i është personal dhe nuk ka asnjë lidhje me situatën ndëretnike të Maqedonisë”.

Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar, anëtari i AShAM-it,  Abdylmenaf Bexheti, i cili pikëpamjet e koleges së tij të akademisë i ka cilësuar raciste, duke thënë se ato nuk paraqesin pikëpamje institucionale të akademisë.

Abdylmenaf Bexheti
Abdylmenaf Bexheti

“Shpresoj se bashkëqytetarët tanë do distancohen nga prononcimet e sajë për urrejtje patologjike ndaj bashkëqytetarëve duke i konsiderua ata fajtorë kujdestar edhe për çështje kaq planetare siç është rasti i pandemisë Covid-19! Përndryshe ajo nuk mund dhe nuk paraqet pikëpamje institucionale të ASHAM-it përçka edhe në tentative të zgjidhet nënkryetare dy herë radhazi, para 6 muajsh, nuk arriti të merr mbështetje as 1/3 e anëtarëve/votave! Fatmirsisht ajo mbetet një zë i vetëm dhe ndoshta një grupi shumë të vogël të akademikëve, me shpresë që do shkojnë në ,,botën tjetër,, me epitetin e folklor patriotëve! Kjo nuk e çliron Institucionin e Akademisë dhe nuk na amneston neve anëtarëve të saj për tolerancë ndaj këtijë fenomeni racist”, ka shkruar Bexheti në Facebook.

Ndërkaq, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë akoma nuk është distancuar nga ky qëndrim i profesoreshës Qullavkova.

Kujtojmë se, prej shkurtit të vitit 2014 në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi dispozitat e reja ligjore me të cilat ndalohet dhe ndëshkohet gjuha e urrejtjes dhe përhapja e materialeve nëpërmjet internetit, me të cilat promovohet ose nxitet urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë njeri ose grupi, në çfarëdo baze të diskriminimit.

Sipas statistikave të publikuara në web faqen, http://www.govornaomraza.mk/, gjatë periudhës prej 05 deri në 27 maj të këtij viti, janë regjistruar 846 denocime të gjuhës së urrejtjes, prej të cilave 418 janë në bazë etnike.

Megjithatë, prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” .

Policia me tempo të ngadaltë e ka hetuar gjuhën e urrejtjes, ndërsa gjyqësori nuk e ka dënuar, duke pasur parasysh numrin e madh të paraqitjeve që janë bërë vetëm në platformën digjitale qytetare për paraqitje të gjuhës së urrejtes.

Pos kësaj, në Maqedoni, sidomos në kohën e pushtetit të VMRO-DPMNE-së, sipas analizës të Portalb.mk, gjuha e urrejtjes ka qenë mjaftë e theksuar dhe ka pasur raste eklatante ku publikisht persona dhe grupe të caktuara kanë qenë të ekspozuara ndaj këtij fenomeni që dënohet sipas ligjit, por e njëjta nuk është ndjekur dhe dënuar nga organet e rendit.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.