Pas Policisë së Komunikacionit, autobusët e transportit publik të Shkupit sot u janë nënshtruar kontrollit të Inspektoratit të Qytetit të Shkupit. Shefi i Inspektoratit, Mirosllav Bogdanovski njoftoi se në inspektim janë të përfshirë autobusë të ndërmarrjeve private “Slloboda Prevoz” dhe “Makekspres” si dhe të Ndërmarrjes të Transportit Publik (NTP), transmeton Portalb.mk.

“Para se të paraqiteni ju, sapo fola me inspektoren, kemi ankesa nga qytetarët dhe për momentin është duke u realizuar kontroll inspektues. Inspektimi është duke u kryer ndaj të gjithë autobusëve, si ndaj të NTP-së edhe ndaj privatëve. Me GSP janë duke u ndjekur autobusët, kush nuk ka ardhur, kush është vonuar në stacion, dhe a qarkullojnë në korsinë e duhur. Sa i takon aspektit teknik, ne nuk e kontrollojmë atë pjesë”, tha Bogdanovski

Paraprakisht, ndaj autobusëve të transportit publik të Shkup është realizuar edhe kontroll teknik i jashtëzakonshëm, i cili nga qarkullimi i shkyçi 14-të autobusë. Kontrolli i jashtëzakonshëm i autobusëve në Shkup, erdhi pas aksidentit me pasoja vdekjesh të autobusit të Gostivarit “Durmo Turs” në Llaskarcë, më 13 shkurt të 2019-s. Paraprakisht, në kontrolle teknike kanë qenë autobusët që qarkullojnë për në Gostivar.