Prokurorja Fatime Fetai në konferencën e sotme për shtyp, ku prokuroret speciale prezantuan raportin e dytë për punën e PSP, tha se sot do të ngriten dy propozime për padi. Njëra, sipas Fetait, është për shkatërrimin e dokumenteve lidhur me përgjimin ndërsa e dyta për dhunën para komunës Qendër në qershor të vitit 2013-të.

Duke i shpalosur rastet, Fetai tha se aktakuza e parë është lidhur me ndjekjen e paautorizuar e komunikimeve. Ajo tha se Prokuroria ka grumbulluar dëshmi të mjaftueshme dhe presin për këtë rast të ketë aktgjykim. Siç deklaroi Fetai para gazetarëve, përveç dëshmive që janë prezantuar në lëndën “Fortesa”, tani janë grumbulluar edhe dëshmi për atë se kush, pse dhe me çfarë mjete ka përgjuar.

Rasti i dytë për të cilin PSP sot ka ngritur aktakuzë deri në Gjykatën Themelore- Shkup 1, sipas fjalëve të prokurores Fatime Fetai, është marrë nga Prokuroria themelore e Shkupit.

“Bëhet fjalë për bisedë nga komunikimi telefonik mes dy pjesëtarëve të pushtetit ekzekutiv, që është bërë më 1 qershor 2012 më ora 20:50 dhe zgjat 4 minuta e 4 sekonda. Biseda zhvillohet pasi veç më është caktuar seancë e Këshillit të komunës Qendër, ku si pika të rendit të ditës janë vendosur ndalesat në disa plane të detajuara urbanistike, mes të cilave edhe për “Mal Ring” tha Fetai.

Ajo shtoi se për këtë rast janë përgjuar rreth 20 dëshmitarë e disa nga ata kanë kërkuar mbrojtje. Për shkak të pamundësisë PSP t’i mbroj, siç tha Fetai, atyre u është mundësuar që të mbesin anonim.

Në këtë rast, për veprat penale dhunë ngarkohen 14 persona, prej të cilëve pesë si nxitës dhe nëntë si kryerës direkt të dhunës.