Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është pezulluar

-

Në 17 tetor gjatë vizitës së tij në Tiranë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është pezulluar nga ana e Francës. Deklarata ngjalli konfuzion në Kosovë, qytetarët e të cilës presin të lëvizin lirisht në Europë nga 1 Janari 2024. Por Këshilli dhe Komisioni Europian konfirmoi për Faktoje se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është i pezulluar dhe asnjë vend anëtar nuk ka kërkuar diçka të tillë nga unioni.

Jona Plumbi

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama një ditë pas samitit të Procesit të Berlinit mbajtur në Tiranë, presidenti francez Emmanuel Macron u bë shkak për konfuzion në Shqipëri dhe Kosovë pas deklaratës se ‘procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është pezulluar’.

E them me shumë qartësi. Ne ju kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet”. – Emmanuel Macron, President of France, 17 Tetor 2023, Tiranë

Komenti i Kryeministrit Rama ndaj kësaj deklarate i hodhi edhe më shumë ‘benzinë zjarrit’ duke e konsideruar si një rrezik të vërtetë anulimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. “Sot Kosova është futur vet në një kurth që ja ka bërë vetes por ska qenë kurrë më mirë. Do të ishte dramatike që të humbiste një të drejtë më në fund të fituar për të lëvizur lirisht në Bashkimin Europian, dramatike! Mua më rrënqethet mishi kur mendoj që mund të ketë rindalesë në procesin e liberalizimit të vizave.” – Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, 17 Tetor 2023

Çfarë tha Këshilli Europian dhe Komisioni Europian

Për të kuptuar më shumë lidhur me atë çfarë po ndodh me procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës, vendim i miratuar nga Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian pas propozimit nga Komisioni Europian, Faktoje vendosi të pyesi institucionet e BE-së.

Këshilli Europian konfirmoi për Faktoje se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pezulluar dhe se nuk ka një kërkesë apo nismë për diçka të tillë.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pezulluar.

Vendimi i Parlamentit Europian dhe Këshillit është miratuar dhe ka hyrë në fuqi.

Asnjë nga vendet anëtare në BE nuk ka kërkuar apo marrë ndonjë iniciativë për të anulluar liberalizimin e vizave për Kosovën në Janar 2024.

– Këshilli Europian për Faktoje

Njëkohësisht kërkesës për informacion nga Faktoje iu përgjigj edhe Komisioni Europian duke theksuar se shtetet anëtare të BE-së nuk e kanë një fuqi të tillë.

Shtetet Anëtare individuale nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza.

Rregullat për dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimit nga regjimi i vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së.

– Zëdhënësja e Komisionit Europian për punët e brendshme, Anitta Hipper për Faktoje

Dezinformimi në media

Deklarata u raportua gjerësisht në mediat vendase dhe ato ndërkombëtare si pezullim i liberalizimit të vizave për Kosovën, si kërcënim apo paralajmërim nga ana e Francës se lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës nga 1 Janari mund të jetë në rrezik.

rezultati nga motorri i kërkimit të Facebook, CrowdTangle

Konfuzioni u nxit më tej nga mungesa e verifikimit të deklaratës nga mediat, përpara raportimit të saj si fakt të kryer. Disa madje e komentuan pezullimin e pretenduar si diçka të pritshme.

Një tjetër tezë që zuri vend në media ishte ajo se pati një gabimi në përkthimin e deklaratës së Macron.

Por një verifikim i deklaratës në frengjisht tregon se në fakt presidenti Macron përdori pikërisht fjalën “pezullim” kur foli për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Je le dis moi avec beaucoup de clarté nous avons fait un geste de confiance sur la question des visas elle est suspendue pour ce qui est de la France, au respect de la parole donnée et la parole aujourd’hui n’est pas tenue.” – deklarata në frengjisht e Presidentit Emmanuel Macron.

E them me shumë qartësi, ne bëmë një gjest besimi për çështjen e vizave, ajo është pezulluar për sa i përket Francës, për respekt të fjalës së dhënë dhe fjala sot nuk mbahet”. – deklarata në shqip e Presidentit Emmanuel Macron.

Pavarësisht dëshirës së presidentit francez për t’u shprehur shumë qartë, duket se fjalët e zgjedhura nuk ishin të duhurat për të përçuar mesazhin politik drejt Kosovës dhe Serbisë për çtensionim të situatës.

Sqarimi nga zyra e Macron

Një sqarim i ardhur nga zyra e presidentit Macron filloi të qarkullojë në mediat online po atë ditë në 17 Tetor, duke cituar komentin e dhënë për televizionin Abc News.

Presidenti u shpreh mbi tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, Presidenti ka vlerësuar që çështja e liberalizimit të vizave do të mbetet e hapur. Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë europianë”. – tha Elysee për Abc News.

Faktoje iu drejtua zyrës së Presidentit francez Macron për një sqarim të mëtejshëm për atë çka konsideron si “bllokadë” të Prishtinës dhe nëse ka Franca ka në plan të kërkojë mbajtjen e vizave me Kosovën. Faktoje është ende në pritje të një përgjigjeje nga Elysee.

Njëkohësisht mediat në Kosovë u angazhuan të sqaronin pozitën e Kosovës lidhur me liberalizimi e vizave pas deklaratës së Macron. Një pjesë cituan ekspertë të proceseve në institucionet e Bashkimit Europian për të sqaruar se pezullimi është i pamundur nga ana proceduriale. Gazeta Express mori një koment nga deputeti holandez në Parlamentin Europian, Thijs Reuten, raportues për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili e quajti deklaratën e Macron të nxituar.

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në fuqi nga 1 janari 2024. Ky vendim është marrë unanimisht nga Këshilli muaj më parë. Përpjekja e Francës për të revokuar këtë vendim nuk është qëndrim i BE-së dhe presidenti Macron nuk ka fuqinë të ndërmarrë në mënyrë të njëanshme hapa të tillë”, tha Reuten. Edhe ambasadori francez në Kosovë theksoi për RTK se “Nuk ka vendim teknik për të vënë në pikëpyetje liberalizmin e vizave për Kosovën më 1 janar”.

Si u përdor deklarata për propagandë serbe

Ndërkohë që në Tiranë organizohej Samiti i tetë i Procesit të Berlinit, që ka si fokus pikërisht integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidenti serb Alexandar Vuçiç ishte në një vizitë zyrtare disa ditore në Kinë, ku ka biseduar edhe me presidentin rus Vladimir Putin.

Nga Pekini, Presidenti serb Alexandar Vuçiç falenderoi Emmanuel Macronin për ‘miqësinë e treguar ndaj Serbisë’ kur u pyet për deklaratën e këtij të fundit për pezullim të lëvizjes së lirë me Kosovën.

Sipas mediave serbe, Vuçiç tha për gazetarët se nuk dëshiron të komentojë mbi faktin se Presidenti Francez tha që shteti i tij ka anulluar procesin e librealizimit të vizave për Kosovën.

“Nuk dua të komentoj. Është vendimi i një nga vendeve më të mëdha të Europës. Faleminderit Macronit për shumë gjëra të tjera, për miqësinë që tregon ndaj Serbisë.” – citohet të ketë thënë Vuçiç.

Sfond

Bashkimi Europian ka aktualisht një regjim pa viza me 61 vende jo anëtare në BE. 25 vende kanë marrëveshje për heqjen e vizave me BE-në dhe 8 të tjerë kanë marrë përjashtimin e vizave si rezultat i përfundimi ttë suksesshëm të dialogut për liberalizimin e vizave (Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina). 28 shtetet e mbetura morën përjashtimin nga regjimi i vizave pas harmonizimit të parë të rregullave të BE-së (Rregullorja e Këshillit Nr. 539/2001).

Në 19 Prill 2023, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian ranë dakord për të përjashtuar edhe Kosovën nga regjimi i vizave, pas përfundimit të suksesshëm të dialogut për liberalizimin e vizave, që hyn në fuqi në 1 Janar 2024.

Mekanizmi i Pezullimit të Vizave është përcaktuar në Nenin 8 të Rregullores së Vizave të BE-së. Qëllimi i tij kryesor është të mundësojë një pezullim të përkohshëm të përjashtimit nga vizat, në rast të një rritje të papritur dhe të konsiderueshme të migrimit të parregullt ose rreziqeve të sigurisë.

Sipas nenit 8 të kësaj rregulloreje, një shtet anëtar i BE-së mund të njoftojë Komisionin [Europian] nëse gjatë një periudhe dymujore (të krahasuar me të njëjtën përiudhë të vitit paraardhës ose krahasuar me dy muajt e fundit përpara zbatimit të përjashtimit nga regjimi i vizave të shtetasve të vendeve të treta të listuara në Aneksin II) përballet me një nga katër rrethanat e mëposhtëme si a) rritja e numrit të shtetasve që shkelin afatet e qëndrimit në vendin anëtar të BE-së, b)rritja e numrit të azilkërkuesve nga vendi jo anëtar, c) mos-bashkëpunimi nga vendi jo-anëtar në procesin e ripranimit të shtetasve të tyre që kanë shkelur rregullat e udhëtimit, si dhe d) për shkak të një rreziku të kanosur ndaj sigurisë së brendshme të shtetit anëtar.

Neni 8 i rregullores së BE

Në vijim rregullorja e BE-së për aktivizimin e mekanizmit të rivendosjes së vizave kërkon që vendi anëtar të deklarojë arsyet ku e bazon kërkesën e tij duke përfshirë të dhënat dhe statistikat përkatëse, si dhe një shpjegim të detajuar të masave paraprake që shteti anëtar në fjalë ka ndërmarrë për të korriguar situatën e krijuar.

Jo vetëm Kosova nuk është pjesë e vendeve të listuara në Aneksin II, por siç kuptohet nga katër arsyet ku një kërkesë e tillë mund të bazohet, do duhet kohë dhe të dhëna statistikore për të mbështetur një kërkesë të tillë, gjë e cila nuk mund të ndodhë pa u aplikuar liberalizimi i vizave dhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë të lirë në zonën Schengen.

Përfundim

Deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron për “pezullim” të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën rezulton e pavërtetë, përtej interpretimeve dhe argumentave të dhëna nga palët e interesuara.

Fakt mbetet se qytetarët e Kosovës do udhëtojnë pa viza në zonën schengen prej 1 Janarit 2024, dhe se deri më tani asnjë kërkesë apo nismë për të kundërtën nuk është depozituar në isntitucionet e BE-së.

ИзворFaktoje.al