fbpx

Lavrov përdor rastin e Kosovës për të akuzuar NATO-n, BE-në e OSBE-në

-

Foto: OSCE

Më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, në Shkup u mbajt takimi i OSBE-së i cili mblodhi ministrat e Punëve të Jashtme të 57 anëtarëve të kësaj organizate, me seli në Vjenë. Mes kundërshtimesh e polemikash, aty mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov. Samitin ku ishin pjesëmarrëse shtetet perëndimore, që i vunë sanksione Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën, Lavrovi e shfrytëzoi për ta akuzuar BE-në, NATO-n e OSBE-në, se edhe ata ushtruan agresion ndaj një vendi të pavarur në vitin 1999, kur vendosën ta bombardojnë Serbinë. Po ashtu, riktheu deklaratat e njohura të zyrtarëve rusë se Kosova iu mor me dhunë Serbisë.

Deklaratat e ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, janë transmetuar në mediat shqiptare.

Paralajmërimi se në takim do të ftohej edhe Lavrovi nxiti reagime të mëdha që fillimisht u transmetuan në shtetin që ishte nikoqir i takimit, Maqedonia e Veriut. Mediat maqedonase kanë shkruar se ministri i këtij shteti, Bujar Osmani, hyri në konflikt edhe me ministren e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, vetëm që ta sillte në Shkup ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov.

Megjithëse fjalimi i Lavrovit u bojkotua nga shumica prej anëtarëve të OSBE-së, deklaratat e tij u shpërndanë gjerësisht edhe nga konferenca që ai e dha pas samitit.

Lavrov deklaroi se vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian e kanë shkatërruar dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së, duke shtuar se “në vitin 1999, NATO kreu agresion brutal kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, duke shkelur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum”.

Image

Foto: Huzuar nga Rtrs.tv

Pas një viti, Akti Final i Helsinkit do t’i mbushë 50 vjet dhe sipas Lavrovit “në këtë drejtim, me keqardhje themi se OSBE-ja e mirëpret këtë përvjetor në një gjendje të dhimbshme dhe perspektivat e saj janë të paqarta“. Sipas tij, zgjerimi i NATO-s në Lindje është një nga faktorët që cenon sigurinë në Evropë.

Si rezultat i deklarimeve të Lavrovit, pati një përplasje mes Rusisë dhe Shqipërisë. Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, theksoi se Rusia po kërkon të nxisë telashe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke dobësuar kështu edhe OSBE-në.

”Kërcënimi më i madh për sigurinë tonë sot, në të vërtetë për të gjithë arkitekturën tonë të sigurisë, duke përfshirë edhe këtë organizatë, është Rusia dhe lufta e saj e paligjshme e agresionit kundër Ukrainës”, tha Hasani.

Vizita e Lavrovit u transmetua gjerësisht edhe nga mediat serbe, të cilat e vunë theksin te deklaratat e tij lidhur me Kosovën.

Kësisoj, gazeta Blic ka shpërndarë një artikull me titull “Kaos në Shkup për deklaratat e Lavrovit që u poshtërua dhe u bojkotua, i cili përmendi edhe Kosovën (VIDEO)”. Po ashtu, ky medium shpërndau disa video nga Platforma “X”, në të cilat shihet se Lavrovi injorohet nga shumica e pjesëmarrësve, ku ndër përshëndetjet e vetme që pati ishte ajo me ministrin e Punëve të Jashtme të San Marinos, Luca Beccari.

Edhe mediat e tjera, si Sputnik, u dhanë hapësirë deklarimeve të Lavrovit, që kanë të bëjnë me marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Aty merret në mbrojtje Serbia dhe akuzohet BE-ja se po i bën asaj presion për t’i vënë sanksione Rusisë. Mes të tjerash, në artikull shkruan se Lavrovi ka kritikuar Bashkimin Europian, “pasi po përdor shkopin vetëm ndaj Serbisë”.

Image

Foto: Huazuar nga Sputnik

Artikulli me të njëjtën përmbajtje është shpërndarë edhe nga Politika.rs

Së fundmi u paralajmërua se Rusia ka për qëllim të hapë një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një takim me gazetarë nga Afrika, tha: “Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. [Së pari kemi pasur] Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”.

Një rrezik të tillë më pas e konfirmuan edhe zyrtarë të Bashkimit Europian. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili vizitoi Kosovën më 20 nëntor, është shprehur se: “Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jostabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.

Në lidhje me këto paralajmërime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi ka deklaruar se Rusia, me qëllimin që të shpërqendrojë NATO-n, po synon të ndezë një vatër krize “në oborrin e Bashkimit Evropian“, ndërsa ka shtuar se po vërehet ”kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale“.

Që nga fillimi i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur Kosovën me qëllim për ta goditur Perëndimin. E ka bërë këtë duke shpërndarë edhe dezinformata të shumta kinse në Ukrainë po luftojnë mercenarë nga Kosova. Këto pretendime janë mohuar nga institucionet e Kosovës.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

ИзворSbunker.net

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.