fbpx

Kuvendi i RMV-së nuk e ndal avazin e miratimit të ligjeve me procedurë të shkurtuar dhe urgjente (Infografik)

-

Maqedonia e Veriut nuk i shmanget dot procedurave të shkurtuara dhe urgjente të miratimit të ligjeve në Kuvend. Me këtë vazhdon të mos respektohet hapësira e debatit publik për ligjet e propozuara, gjë që lë hapësirë për dëmtim të demokracisë dhe mospërmbushje të rolit themelor të kuvendit. Edhe pse jemi në gjysmën e vitit 2019, tempoja e miratimit të ligjeve me këtë procedurë nuk ka ndryshuar. Sa për ilustrim, viti 2017 prin me përqindjen e lartë të ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar dhe urgjente në pesë vitet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Megjithëse me përqindje prin, 2017-ta rangohet e fundit për sa i takon numrit të ligjeve të miratuara. E bllokuar për 5 muaj me debate procedurale, për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare, e sulmuar nga protestuesit të cilët për 4 muaj protestuan rrugëve të Shkupit dhe me pauzë për shkak të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në vjeshtë, gjatë vitit 2017-të janë miratuar vetëm 33 ligje. Prej tyre, 25 ligje janë miratuar me procedurë të shkurtuar dhe urgjente, kurse 8 me procedurë të rregullt.

Pas 2017-s, me përqindjen më të lartë të ligjeve të miratuara me procedurë shkurtër-urgjente është 2016-ta. Në këtë vit i cili karakterizohet me zgjedhje parlamentare në vjeshtë, u miratuan 340 ligje. Prej tyre, 239 janë me procedurë të shkurtër-urgjente, e 101 me procedurë të rregullt. Sa i takon numrit të ligjeve, ky vit është ranguar i dyti.

Kalojmë te viti 2015-të, vit ky i cili nga ndërmjetësuesi i përpilimit të Marrëveshjes së Përzhinos, Piter Vanhojte u konsiderua si “humbje e demokracisë”, për shkak se rreth 70 për qind e ligjeve të miratuara ishin me procedurë urgjente. 2015-ta u karakterizua me krizën më të thellë politike të Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia, sepse opozita e atëhershme, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) bojkotoi punën e Kuvendit për 8 muaj. Nga 570 ligje sa u miratuan në këtë vit, 340 ligje kanë qenë me procedurë të shkurtuar-urgjente dhe 230 me procedurë të rregullt.

Por si është viti që e lëmë pas, 2018-ta?

U karakterizua me miratim të Ligjeve për shkak të Planit 3-6-9 dhe 18, me arritjen e marrëveshjeve bilaterale, si ajo për fqinjësi dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjen e Prespës, dhe me cikël zgjedhor – Referendumin e emrit. U rangua e fundit për sa i takon përqindjes së ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtër-urgjente. Në vitin 2018-të u miratuan 246 ligje, 71 ishin me procedurë të shkurtër-urgjente dhe 175 me procedurë të rregullt.

Sipas monitorimit të shoqatës “Most”, për 3 muajt e parë të këtij viti, 2019-s, në Kuvend janë miratuar 33 ligje. Prej tyre, 23 janë me procedurë të shkurtër-urgjente dhe 10 ligje me procedurë të rregullt.

Kuvendi është duke i përzier “kabllot” me urgjencën!

Me procedurë urgjente miratohen ligje që të pengohet dëmtimi i sipërmarësisë dhe kur ato kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, me procedurë urgjente miratohen ligje në raste të fatkeqësive të mëdha, epidemive apo edhe nevojave të tjera të jashtëzakonshme dhe që nuk mund të shtyhen.

Shumica e ligjeve që janë miratuar nga Kuvendi i RMV nuk i kanë pasur për bazë dy kriteret e lartpërmendura.

Neni 170 i Rregullores së Kuvendit thotë: “Propozuesi i propozim-ligjit mund t’i propozojë Kuvendit, që të diskutojë për propozim-ligjin me procedurë të shkurtuar në rastin kur: – nuk është në pyetje ligj kompleks dhe vëllimor, – shfuqizohet ndonjë ligj ose dispozita të veçanta të ndonjë ligji, ose – nuk janë në pyetje harmonizime komplekse dhe vëllimore të ligjit me legjislacionin e Bashkimit Evropian”.

Neni 167 i Rregullores së Kuvendit thotë: “Me përjashtim ligji mund të miratohet edhe me procedurë urgjente. Me procedurë urgjente mund të miratohet ligji kur kjo është e domosdoshme, për parandalimin dhe mënjanimin e çrregullimeve më  të mëdha  në ekonomi, ose kur atë e kërkojnë interesat e sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës apo në raste të fatkeqësive më të mëdha natyrore, epidemive si dhe nevojave tjera të jashtëzakonshme dhe të paprolongueshme”.

Me procedurën e shkurtër-urgjente mënjanohet hapësira e debati për ligjet e propozuara. Procedura e kundërt dhe më demokratike është ajo e rregullta. Ajo parasheh që komisionet përgjegjëse ta shqyrtojnë ligjin, më pastaj i njëjti shkon në lexim të parë. Kjo fazë zgjat 7 ditë, dhe më pas fillon leximi i dytë. Gjatë kësaj faze kemi parashtrim të amendamente, she nëse kemi ndryshim të 1/3 të tekstit ligjor, atëherë mund të shkohet edhe në lexim të tretë. Mesatarisht, me procedurën e rregullt, periudha nga hyrja në procedurë parlamentare e deri te miratimit zgjat 2 javë.

 

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.