fbpx

Keqinterpretimi i Ministrisë së Mbrojtjes për përjashtimin nga “Defender Europe 2023”

-

*Përgatiti: Ridona Berisha

Qeveria e Kosovës ka tentuar ta shtrembërojë pasojën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta përjashtuar Kosovën këtë vit nga ushtrimi ndërkombëtar, “Defender Europe 23”, pas zhvillimeve në veri të vendit.

Më 30 maj në orën 03:48 Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dërgoi një njoftim për media, në të cilin tha se si rezultat i situatës në veri aktiviteti i paraparë për 30 maj, në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet. Po të njejtën ditë, në orën 10:40 Ministria e Mbrojtjes doli me një tjetër njoftim në Facebook, ku thuhej se është arritur objektivi dyvjeçar i stërvitjes “Defender Europe ’23” për validimin e kapaciteteve të Regjimentit të Këmbësorisë.

“Ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon aktivitetin e saj ditor në kuadër të bashkëpunimit me partnerët tanë strategjik”, shkruan në komunikatë.

Image

 

Por të njejtën ditë, pak orë më vonë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tregoi arsyet e vërteta të anulimit të aktivitetit nga i cili do të përfitonte Forca e Sigurisë së Kosovës. Në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë, Hovenier tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri. Përmes kësaj ai iu referua insistimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ndonëse kishte rezistencë të vazhdueshme të banorëve lokal, e cila përshkallëzoi në dhunë.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier, duke e cilësuar këtë si pasojën e parë për Kosovën nga SHBA -të. Ai shtoi se janë duke i menduar se cilat do të jenë veprimet e mëtejme. Ambasadori Hovenier deklaroi se për momentin “nuk ka entuziazëm” prej anës së SHBA-së të punojë për llogari të interesave të Kosovës, “si për shembull të angazhohemi me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën ose që të punojmë aktivisht në trajektoren e integrimit evropian e ndërkombëtar të Kosovës”.

Përjashtimin nga “Defender 2023” kryeministri Albin Kurti e cilësoi si një fatkeqësi.

“Nuk mendoj se është i drejtë, por kush jam unë të vendos”, tha ai.

Përjashtimi i Kosovës nga ky ushtrim u cilësua humbje e madhe për Kosovën për shkak të përvojës që ushtarët do ta fitonin në ushtrimet e përbashkëta me shtetet e NATO-s.

“Kosova humbi një mundësi shumë të madhe që ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të marrin një eksperiencë të çmuar nga shtetet e NATO-s”, tha ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

“Defender 2023” janë stërvitjet më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit. Forca e Sigurisë së Kosovës, do të merrte pjesë në këtë organizim, i cili nisi më 21 maj dhe parashihej të vazhdonte deri më 2 qershor, në të cilën pjesëmarrës ishin 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa.

Më 21 maj u zhvillua ceremonia hapëse. Ushtarë e pajisje të Forcës së Sigurisë të Kosovës mbushën Sheshin “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova” në Prishtinë. Në këtë ceremoni ishte e pranishme presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj e komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Albin Kurti, në fjalimin e tij ishte shprehur që është nder që Kosova për herë të dytë është në mesin e vendeve organizatore të kësaj stërvitjeje. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani, pati deklaruar se në këtë stërvitje ndërkombëtare krahas ushtrive nga kombe të ndryshme, të gjithë qëndrojnë të bashkuar rreth një kauzë të vetme.

“Kauzës së përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin, për ta ndërtuar besimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate”, tha ajo.

 

Image

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalsm.

ИзворSbunker.net

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.