Rikandidimi i Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut, dhe mbështetja e të njëjtit nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka ngjallur reagime të shumta në publik: “A u desh të kalojnë pesë vjet, që Pendarovski të jetë konsesual?” dhe “Çfarë ndryshoi te Pendarovski që u bë person konsesual për BDI-në?”, njofton Portalb.mk.

Edhe pse të kontaktuar, nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk i sqaruan dilemat e tilla.

Gjatë vitit 2014-të, Stevo Pendarovski ishte kandidat për president të shtetit, si radhë e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, atëherë në opozitë. BDI-ja nuk e mbështeti Pendarovskin, dhe ftoi votuesit shqiptarë që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Në zgjedhje votoi presidenti në ikje, Gjorge Ivanov.

Çfarë ndryshoi te Stevo Pendarovski, që u desh të kalojnë pesë vjet që të bëhet konsesual për BDI-në?

Portalb.mk ka kontaktuar me krerët e Bashkimit Demokratik për Integrim për të kuptuar se çfarë ndryshoi te Stevo Pendarovski, i cili para 5 vjetësh nuk ishe konsesual sipas tyre, dhe realizuan fushatë për bojkotim, ndërkaq tash e mbështetin të njëjtin. Nga atje pa asnjë përgjigje konkrete.

“Do të kemi mundësi, do të ketë debate, do t’i sqarojmë të gjitha gjërat. Shumë shpejtë do të fillojë fushata, dhe BDI-ja do t’i sqarojë të gjitha. Është shumë herët të tregohen të gjitha se pse Pendarovski u bë i pranueshëm për BDI-në”, tha nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta.

“Pas takimit që kishim, ditën e diel, partia i bëri qëndrimet e veta, dhe tha se është koncept më i kamotshëm, ideja e presidentit konsesual, dhe normal se kur ka marrëveshje, do të ketë sukses. Jo marrëveshje politike, por qëndrimi i 30 partive, përfshirë edhe të BDI-së, është të përkrahim një kandidat”, tha nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi.

Por, konkluzat e kësaj partie të dërguara në adresën e mediave, nuk përmbanin argumente PSE i njejti person i papranuar më parë, tani qenka i pranueshëm.

Mbështetja e Pendarovskit, sipas drejtorit të organizatës joqeveritare “Democracy Lab”, Sefer Selimi, “BDI-në e kanë futur në krizë morale me votuesit shqiptar”, ndërkaq sipas kolumnistit Robert Nesimi, ajo është “zgjidhje zori” e cila do të ketë efekte negative gjatë realizimit të fushatës “për Pendarovskin”.

Sefer Selimi përkrahjen e BDI-së ndaj Pendarovskit e sheh në formulën e ndryshimeve të rrethanave politike.

Sipas Nesimit, janë dy arsye se pse BDI-ja do ta ketë të vështirë:
E para – BDI-ja as nuk ka argumente e as nuk do të mund ta bind votuesin shqiptar që ta votojë Pendarovskin, sepse duke e pasur një kandidat tjetër, më të përgatiturin nga të gjithë kandidatët tjerë, Blerim Rekën, si do ta bind votuesin shqiptar se duhet ta votojë Pendarovskin?, dhe
E dyta- Sepse bëhet fjalë për Pendarovskin, të cilin para pesë vjetësh e kanë sulmuar në të gjitha mënyrat, duke organizuar edhe fushatë bojkoti që të votojnë “për” Ivanovin.

Përndryshe, 30 parti politike, pjesë e koalicionit qeverisës të premten e zgjodhën Stevo Pendarovskin si kandidat të përbashkët, të cilin e quajtën “kandidat konsesual”. Pendarovski do të garojë me kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovskën dhe kandidatin e pavarur, Blerim Reka i cili mori mbështetjen e partive opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. Siljanovska e ka zyrtarizuar kandidaturën edhe në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, ndërkaq Reka vijon mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni do të mbahen më 21 prill, ndërkaq i dyti parashihet të jetë më 5 maj.