Gjykatësja Tatjana Mihajlova sot ndërpreu seancën gjyqësore për rastin me dhunën para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013, ku të akuzuar janë ish kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski dhe 15 persona tjerë dhe i gjobiti me nga 2000 euro prokuroret speciale Katica Janeva dhe Fatime Fetai për “mosrespektim elementar të gjykatës”.

Prokurorja Fetai pasi nuk mori fjalë nga Mihajlova, u ngrit dhe gjykatëses i tha se nuk ka ardhur në sallë për të parë sa e bukur është e më pas edhe e akuzoi Mihajlovën se ka bërë falsifikuat nga procesverbali i seancës paraprake.

“Ju nga procesverbale i seancës paraprake keni bërë falsifikim intelektual. E kërkojmë incizimin audiovizual që të nisim procedurë penale ndaj jush pasi ju në procesverbalin e 16 dhjetorit 2016 në mënyrë jopërkatëse keni nënvizuar se opinioni është i përjashtuar nga gjykata vetëm në pjesën kur dëgjohen bisedat e përgjuara ndërsa në fakt gazetarët ishin të dëbuar dhe kur unë si prokurore e PSP-së u prononcova për argumentet e mija për përdorimin e “bombave” si dëshmi” tha Fetai duke shtuar se do t’i ftojë gazetarët si dëshmitarë në procedurën penale kundër Mihajlovës.

Pas kësaj, u ngrit edhe Janeva e cila akuzoi gjykatën se “nuk din të mbaj procesverbal”.

“Duhet të keni turp që e mbani epitetin e gjykatëses dhe u.d kryetares së Gjykatës Themelore Shkupi 1” tha Janeva.

Pas kësaj, Mihajlova ndërpreu gjykimin nën arsyetimin se nuk ka kushte për mbajtjen e procesit. Ajo urdhëroi në procesverbal të nënvizohet se i tërë materiali nga seanca e sotme me të gjitha shkrimet do të dorëzohen pranë Këshillit të prokurorëve publik, i cili siç tha, është kompetent për PSP-në.

Ndaj kësaj reagoi Fetai e cila tha: “Këshilli nuk është kompetent ndaj PSP-së, ju vetëm vazhdoni shkelni ligjin”.

Gruevski dhe avokati i tij Nikola Dodevski, pas daljes nga gjykata, thanë se seanca e sotme më shumë i ngjante një teatrit sesa një seancës së vërtetë.

Për dhunën para Komunës Qendër dhe shuplakat e porositura për kryetarin Andrej Zhernovski, krahas Gruevskit ngarkhen edhe ish ministri i transportit, Mile Janakieski, deputetja Daniela Rangelova dhe 11 persona tjerë.