fbpx

I pavërtetë pretendimi se KFOR-i ndalon lëvizjen e politikanëve të Kosovës në veri

-

Lista me emrat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë përmes së cilës pretendohet se KFOR-i ka marrë vendim t’ua ndalojë qarkullimin në veriun e populluar me shumicë serbe, është mohuar nga vetë Forca që aktualisht ia garanton kufijtë Kosovës.

Më 25 shkurt 2024, gazetari Fitim Çeku, në llogarinë e tij në platformën “X”, publikoi një listë me emra të politikanëve të Kosovës, të cilëve pretendonte se KFOR-i ua ka ndaluar të udhëtojnë në veri të Kosovës.

“Ekskluzive: NATO ndalon hyrjen e deputetëve të Vetëvendosjes dhe disa ministrave në veri të Kosovës. Një pjesë të dokumentit e kam marrë nga disa faqe, ndërsa për informata të tjera gazetarët mund t’i bëjnë pyetje KFOR-it dhe Policisë së Kosovës!”, ka shkruar Çeku në postimin e tij. Por, dokumenti i publikuar nuk ka asnjë logo të institucionit i cili pretendohet se e ka lëshuar atë. Ndërsa në përmbajtje figurojnë vetëm emrat e vendosur sipas rendit alfabetik, kurse në krye të faqes është shkruar: “Mos lejoni qasje”.

Mes emrave janë edhe ministra të Qeverisë Kurti, përfshirë ata që janë parë më shpesh në veri, gjatë zhvillimit të aksioneve nga ana e Policisë së Kosovës, sikurse ai për heqjen e tabelave dhe simboleve me fotografitë e politikanëve rusë e serbë. Në listën e pretenduar është ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por edhe zyrtarë të tjerë të cilët u takojnë komuniteteve të tjera jo-shumicë, si ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Por, ky pretendim u mohua nga KFOR-i, përmes një deklarate publike. “Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dëshiron të sqarojë se thashethemet që qarkullojnë në mediat sociale, që pretendojnë se KFOR-i po i ndalon disa zyrtarë kosovarë të udhëtojnë në veri të Kosovës, janë të pabaza”, thuhet në deklaratën e KFOR-it, të cilën e kanë transmetuar mediat në gjuhën shqipe dhe serbe. Më tej, aty bëhet e qartë se KFOR-i asnjëherë nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë, duke shtuar se vazhdojnë të ofrojnë një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, “në përputhje me mandatin e OKB-së, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”. Në deklaratën publike, nënvizohet edhe bashkëpunimi që vazhdojnë ta kenë me institucionet e Kosovës, në baza ditore.

Aktualisht, në veri të Kosovës nuk mund të shkojë vetëm Forca e Sigurisë së Kosovës pa leje të posaçme të Komandantit të KFOR-it. Kjo ndalesë ishte vënë në bazë të një marrëveshjeje që pati arritur ish-kryeministri Hashim Thaçi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Përveç FSK-së, serbët në vazhdimësi kanë kërkuar që KFRO-i të pyetet edhe në rastet kur Policia e Kosovës ndërmerr aksione në veri.

Kjo ishte theksuar veçmas pas tensioneve në veri të Kuvendit, që nisën majin e vitit të kaluar pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, që më herët menaxhoheshin nga Lista Serbe. Në këtë situatë ishte përfshirë edhe KFOR-i, pjesëtarë të të cilit ishin lënduar rëndë si pasojë e protestave të dhunshme. Situata pati eskaluar më 29 mars 2023 në Zveçan, ku pas përleshjes me protestuesit e dhunshëm, së paku 25 pjesëtarë të KFOR-it ishin lënduar.

Kjo Forcë e rriti prezencën në veri edhe pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit nga grupi paramilitar serb që kishte hyrë nga territori i Serbisë, e që la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Trupa shtesë u dërguan nga Britania e Madhe, Turqia dhe Gjermania.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

ИзворFaktoje.com

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.