Një pjesë e familjeve të viktimave nga vërshimet në Shkup mbrëmë i kanë marrë trupat e 11 viktimave ndërsa në morgun e SH.A Butel ende gjenden tre trupa që duhet të merren.
Familjet e 14 viktimave nuk kishin mundësi t’i marrin trupat e të afërmve të tyre për probleme administrative gjegjësisht kërkonin dokumente për arsyet e vdekjes së personave.
Nga SH.A Butel për “Meta” thonë se problemi është zgjidhur dhe se pjesa më e madhe e trupave janë marrë. Prej atje njoftojnë se është konfirmuar procedura me të cilën të afërmit mund t’i marrin trupat e të ndjerëve.
“Nëpunësit nga SH.A Butel anëtarëve të familjeve u japin vërtetim nga MPB nga sektori për hetim me të cilin vërtetim familjet shkonin në noter ku firmosin se personi është mbytur në vërshim. Më pas, familjet shkojnë tek Ndihma e shpejtë gjegjësisht në poliklinikën Bukuresht ku u jepet vërtetim/ letër për identifikim e më pas mund ta varrosin viktimën” thonë nga SH.A Butel.
Jo- zyrtarisht mësojmë se i tërë problemi me marrjen e trupave të viktimave ka filluar me një lëshim të organeve kompetente gjegjësisht për shkak të mos- daljes së Prokurorit publik në vendin ku janë gjetur trupat.