Për momentin po zhvillohen bisedime intensive dhe të afërta mes partive të cilat i koordinon komuniteti ndërkombëtar përmes ambasadorëve në vend që të mund, deri pasnesër, kur edhe skadon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet, të gjendet ndonjë zgjidhje për dalje nga kriza politike.
Nga opsionet që janë në kombinim, asnjë nuk është e pranuar për partinë në pushtet.
“Ne s’kemi çfarë të kalkulojmë. Ligji është i qartë, Kuvendi është shpërndarë dhe zgjedhje patjetër të ketë” thotë zyrtarisht për “Meta” Ivo Kotevski, zëdhënësi i VMRO DPMNE-së.
Për dallim prej tij, burimi nga partia në pushtet i lë të hapura edhe opsionet tjera.
“Ndoshta nuk do të marrim pjesë në zgjedhje, do të heqim dorë, dhe do të merr pjesë një i tretë, do të merr 10 mijë vota dhe ato do të dështojnë. Ose nëse të huajt këmbëngulin për ndonjë zgjidhje të volitshme, ndoshta do të dalim nga Qeveria, kështu që LSDM le të bëj qeveri pakicë me kë të dojë” thonë burimet jozyrtare nga partia në pushtet.
Eksperti belg dhe ndërmjetësi i mëhershëm në bisedimet mes partive, Piter Vanhojte sot në profilin e tij në Tuiter “zbuloi” se po zhvillohen bisedime të fshehta.
“Politika dhe arti i bisedimeve të fshehta. “Heshtje! Po bisedojmë, por mos u tregoni qytetarëve, sa më pak që dinë aq më mirë. Kushtet e mija janë të thjeshta: premtoni se do të më adhuroni dhe do t’i plotësoni kërkesat e mija. Firmosni tani këtu” shkroi Vanhojte.