fbpx

Me laborator të paakredituar, ndotësit janë të padukshëm për shtetin e RMV-së

-

Laboratori qendror i Ministrisë së Mjedisit, i cili ekziston që nga themelimi i kësaj ministrie në vitin 1995, është konceptuar si një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e mbrojtjes së mjedisit që do të përcaktojë ekzistencën e ndotjes dhe burimet e emetimeve të dëmshme në ajër, ujë dhe tokë. Ai duhet t’iu ndihmojë inspektorëve gjatë përcaktimit se kush, sa dhe ku bën ndotje. Fatkeqësisht, ka dy dekada e më tepër, ky laborator i shkëlqyer nuk është akredituar. Ndotësit sot kontrollohen vetëm përmes laboratorëve privatë, ndërsa laboratori shtetëror është pa një instrument të pavarur për të parandaluar abuzimet e mundshme në procesin e monitorimit të ndotjes, njofton META.

Ish laboratori në Hekuranën e Shkupit qysh nga themelimi i ka përmbushur kushtet themelore për punë, ndërsa me fondet evropiane në vitin 2006 është bërë plan që sa më shpejt që mundet ai laborator të akreditohet për më tepër metoda për monitorimin e formave të ndryshme të ndotjes. Akreditimi do të thoshte që rezultatet që dalin nga ky laborator janë relevante edhe si informacione për nivelin edhe për llojin e ndotjes, por edhe për atë se cili është burimi i ndotjes.

Trembëdhjetë vjet më vonë, Laboratori qendror nuk është akredituar akoma për metodat e funksionimit të tij, ndërsa hetimet që i realizon, pavarësisht sa janë të sakta, nuk mund të konsiderohen si prova solide sidomos në çështje gjyqësore kundër ndotësve, pikërisht për shkak të këtij lëshimi. Prandaj, krahas blerjeve të pajisjeve laboratorike kohë-pas-kohe për ta azhurnuar atë, donacionet që merren, si dhe trajnimi i personelit profesional që laboratori e ka në dispozicion, ai mbetet i pashfrytëzuar.

“Bëjmë gjithçka që stacionet shtetërore për matje të punojnë me saktësi”

Puna e laboratorit është e lidhur ngushtë me funksionimin e rrjetit kombëtar të stacioneve matëse që e matin ndotjen e ajrit në 18 lokacione në Maqedoni. Pikërisht funksionimi i këtyre stacioneve matëse, ose mosfunksionimi disa mujor i një pjese të instrumenteve në qytetet e ndotura në vend, bëri që publiku të mos ketë besim në rrjetin shtetëror të matësve të ndotjes së ajrit. Pasi “Meta.mk” disa herë ka shkruar për problemin e akreditimit të laboratorit të MMJPH-së, nga Ministria kanë arritur informacione që gjërat kanë filluar të lëvizin pak, por që janë ende shumë larg përfundimit. Këtë verë kërkuam të futemi në laborator për të realizuar një reportazh, ndërsa e morëm përgjigjen se ishte koha e pushimeve vjetore. Ekipit tonë më në fund iu lejohet hyrja këto ditë.

Laboratori qendror i Ministrisë së Mjedisit

E vendosur në një pjesë të izoluar të ish-Hekuranës ndërtesa e laboratorit të MMJPH-së vështirë mund të gjendet dhe padyshim që ky objekt mban mend edhe kohërat më të këndshme. Sidoqoftë, pavarësisht dhomave mjaft të rrënuara, departamentet e pajisura mirë të laboratorëve, si dhe përgjegjësia dhe komunikimi i stafit me të cilin biseduam, ishin një befasi.

Së pari u futëm në Laboratorin e kalibrimit në të cilin bëhet rregullimi dhe kalibrimi i instrumentet matëse nga stacionet shtetërore për matje.

“Kalibrimin e bëjmë në tre nivele, ndërsa instrumentet tona të kalibrimit rregullisht dërgohen për kalibrim në laboratorë shkencorë përkatëse jashtë shtetit”, shpjegon stafi në këtë departament.

Qëndrojmë të rrethuar nga cilindra me gazra të pastër dhe zero-ajër.

Ljupço Grozdanovski
Ljupço Grozdanovski

-Po bëjmë gjithçka për të qenë të saktë edhe matja edhe instrumentet matëse. Kalibrimi i stacioneve matëse bëhet dy herë në vit dhe kur ata kalojnë gjatë procesit të plotë në këtë laborator, me siguri mund të themi se ata punojnë saktësisht – thotë Ljupço Grozdanovski, i cili punon pikërisht në këtë problematikë.

I pyetëm në lidhje me instrumentet për matje të grimcave PM 10 dhe PM 2.5 në Manastir 2, Kumanovë, Tetovë dhe Gjorçe Petrov, të cilat nuk ishin funksionale dhe na sqaruan që instrumentet prej atje ishin dërguar në Austri në Agjencinë e atjeshme për mjedis jetësor.

– Instrumentet matëse për Gazi Babën janë në funksion qysh nga muaji i kaluar, ndërsa ai për Lisiçe presim të fillojë të funksionojë deri në fund të nëntorit – shton Besa Tateshi nga MMJPH.

– Ne nuk kemi aparaturë për kalibrim të këtyre instrumente në laboratorin tonë, një aparat i tillë kushton rreth 50 mijë euro dhe më tepër shpaguhet nëse dërgohet jashtë vendit. Ne kujdesshëm që Shkupin të mos e lëmë pa instrumente matëse, kalibrimet i bëjmë gjatë verës, por disa nga këto instrumente janë gjithmonë aktivë ndërsa të tjerët dërgohen për riparim ose kalibrim. Ata që u dërguan jashtë vendit tashmë janë kthyer dhe janë vendosur në stacionet matëse. Po përpiqemi të sigurohemi që çdo informacion në ueb-faqen tonë të jetë i saktë – thotë Grozdanovski.

Profesional dhe të pajisur mirë, por të pa-akredituar

Personat e laboratorit të MEPP kanë plot kritika ndaj sensorëve të instaluar për ajër të ndotur, matjet e të cilave publikohen nga aplikacioni “Ajri Im” (Moj vozduh).

“Sensorët janë shumë të paqëndrueshëm, pësojnë shumë nga kushtet atmosferike”, thotë personeli i laboratorit.

Mendimi i tyre profesional është se ato janë pajisje të lira me teknologji të pazhvilluar që kanë margjina të lartë të gabimeve dhe nuk mund të jenë burim relevant i të dhënave për vlerat e ajrit të ndotur.

Laboratori qendror i Ministrisë së Mjedisit

“Një stacion matës shtetëror kushton rreth 150,000 euro, ndërsa sensorët që ata i vendosin kushtojnë nga 100-200 euro, e tani ju vetë mendoni se çfarë është më relevante”, thonë nga laboratori.

Peshorja (matës) e mikrogramëve me saktësi 10 në minus 6, të cilën e  posedon laboratori, përdoren për të matur me saktësi përqendrimin e grimcave PM, ndërsa në Maqedoni ka vetëm dy ose tre matës të tillë, flasin ata me krenari të cilën nuk e fshehin.

Dhoma ku është e vendosur ka kushte të veçanta të temperaturës, lagështisë, tryezë me amortizues për të absorbuar edhe dridhjet e bazës.

– Aktualisht jemi duke realizuar fushatë në Karposh me Agjencinë botërore për energjisë atomike ku bëjmë matje të PM grimcave, filtrat e sensorëve në Karposh i sjellim për matje këtu e pastaj i dërgojmë në Kroaci ku do të testohen sërish për përqendrimet e metaleve të rënda. Ne mund të zbulojmë në një rreze prej 4-5 kilometra se çfarë metale të rënda kemi në ajër – shpjegon Grozdanovski.

Ndotësit e mbrojtur, shtet pa instrument

Laboratori qendror i Ministrisë së Mjedisit

Përshtypja është se ka ekspertë dhe pajisje në laborator, por që nuk kanë vëllim të mjaftueshëm të punës. Disa nga instrumentet, në veçanti ato për matje të emetimeve nga objektet industriale, si dhe instrumentet spektrometrike nga departamenti për ekzaminimin e pranisë së metaleve të rënda në mostrat e ujit janë me të reja, por në disa dhoma duket sikur koha ka ndaluar me dekada më herët. Po të akreditohej laboratori me këtë nivel të pajisjeve, jo vetëm që do të mbronte interesat e qytetarëve, por do të funksiononte edhe në mënyrë komerciale ashtu që klientët do të paguanin për analizën e tyre dhe kështu laboratori do të kishte gjeneruar të ardhura.

– Gjërat më në fund kanë lëvizur. Presim që deri në fund të vitit, hapësira të rinovohet që vitin e ardhshëm të zgjedhim një firmë konsulente që do të na udhëzojë gjatë procesit të akreditimit – thotë Biljana Petkovska, shefe e sektorit të mjedisit jetësor i cili e përfshin edhe laboratorin.

Për sa kohë që nuk akreditohet laboratori shtetëror dhe objektet industriale me leje të integruar A dhe B, të cilat vetë e kanë për detyrë të kontrollojnë emetimet e tyre të gazrave të dëmshme, si dhe inspektimet për të monitoruar përputhjen me standardet mjedisore, mostrat,në vend se në këtë laborator do të dërgohen në laboratore private, të cilat funksionojnë me logjikë komerciale  dhe të cilat shpesh e kontrollojnë veten, duke e tret dhe dobëson edhe përgjegjësinë e ndotësve dhe të atyre që i monitorojnë ata.

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.