Luftëtarët në Kumanovë janë futur “që të mbajnë konferencë për mos- zbatimin e Marrëveshjes Kornizë”

-

Problemet politike të shqiptarëve dhe mos- zbatimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit kanë qenë arsyet pse grupi i armatosur kanë ardhur në Maqedoni më saktë në “Lagjen e Trimave”, tha në seancën e sotme i akuzuari i parë i ngjarjeve të 9 dhe 10 majit 2015, Sami Ukshini.

Në pyetjen e Prokurorisë, se si grupi ka planifikuar të ndihmojë në zbatimin e Marrëveshjes, Ukshini tha se siç i kanë thënë udhëheqësit e grupit, Mirsad Ndrecaj dhe Begë Rizaj (të vrarë gjatë luftimeve në Lagjen e Trimave v.j) qëllimi ka qenë, t’i thërrasin gazetarët gjegjësisht të thërrasin konferencë shtypi, ku publikisht do të thonë se nëse nuk realizohet Marrëveshje Kornizë, gjërat në Maqedoni do të kthehen sikur në vitin 2001.

Ndërsa pse nuk e kanë thirrur konferencën e shtypit, Ukshini tha se kjo është varur nga Rizaj dhe Ndecaj si organizatorë të grupit.

Në pyetjen nëse grupi ka pasur mbështetjen nga ndonjë parti politike në Maqedoni, ai tha se nuk e din sepse nuk ka qenë organizator i grupit.

Me deklarimin e sotëm të Ukshinit, filloi edhe biseda dëgjimi i të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave”, që janë gjithsej 37 në numër.