Qeveri e cila do ta zbatoj Platformën e Tiranës, e cila është krijuar dhe formuar në një shtet tjetër, s’mund të jetë reformuese, por anti- shtetërore ndërsa sjellja e LSDM-së është sikur nuk ka popull në këtë shtet apo sikur ky popull nuk është i rëndësishëm, ka shkruar kreu i VMRO DPMNE-së, në profilin e tij në Facebook.

“Përkundër kësaj, rrugët e qyteteve janë të mbushura me popull i cili proteston dhe shpreh pakënaqësi, që qartë tregon se politikat e këtilla të LSDM-së janë të dështuara. Është e palejuar që për çështjet më të ndjeshme për vendin të mos pyetet populli dhe të merren vendime mes partive e të mos bazohen në programin e miratuar nga qytetarët në zgjedhje. Kjo është mashtrim zgjedhore. Nëse shkohet sipas logjikës së LSDM-së, atëherë humbet esenca e zgjedhjeve të mbajtur. Nëse mundet një apo më shumë parti të marrin vendime thelbësore pa u pyetur qytetarët dhe nëse shumica e maqedonasve dërgohen në opozitë, për shkak të zbatimit të mashtrimit zgjedhor, atëherë demokracia shfuqizohet. Hapi i tyre i parë është mashtrimi zgjedhor i popullit”, ka shkruar kreu i VMRO DPMNE-së.

Gruevski më tej thotë se për VMRO DPMNE-në dalja e vetme reale dhe logjike nga kriza politike janë zgjedhjet e shpejta që do të jenë referendum për të ardhmen e vendit duke shtuar se nuk do të jenë shpenzim shtesë apo humbje kohe sepse do të mbahen së bashku me zgjedhjet lokale.