Reformat në sferën mediatike janë duke vazhduar, shpejtësia dhe cilësia ndryshojnë në sektorë të ndryshëm


       

Reformat në sferën mediatike janë duke vazhduar, mirëpo me shpejtësi dhe cilësi të ndryshme në sektorë të ndryshëm, u theksua në prezantimin e sotëm të raportit të dytë periodik në kuadër të projektit “Observatori për reforma mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora”, Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni.

Ky raport që ka të bëjë me periudhën prej 1 tetorit deri më 31 dhjetor të vitit 2017, për katër shtyllat e reformave urgjente prioritare i përcaktoi këto konstatime kyçe: reformat në transmetuesin publik të radiodifuzionit – e filluar, mirëpo e parealizuar, reklamat qeveritare – pjesërisht e realizuar, qasja në informatat me karakter publik – pjesërisht e realizuar, dhe shpifja dhe ofendimit – fare e parealizuar.

Për transmetuesin publik të radiodifuzionit u konstatua se ndryshimet në legjislacionin që ka të bëjë me mediat (heqja e taksës për radiodifuzion), me të cilat përcaktohet stabiliteti financiar i transmetuesit publik të radiodifuzionit janë vetëm një pjesë e reformave të nevojshme dhe do të çojnë në kufizim drastik të buxhetit të tij. Poashtu, mungesa e kuadrove adekuate për kanalin e ri, të katërt, dhe për redaksitë e bashkësive etnike do t’i rrisë kërkesat financiare ndaj buxhetit edhe ashtu të kufizuar të RTM-së.

Sa i përket reklamimit qeveritar, në raport thuhet se pasi i hoqi reklamat e saj në mediat e vendit dhe paralajmëroi se komunikimin e mëtutjeshëm me publikun do ta bëjë nëpërmjet transmetuesit publik dhe mediave sociale, “Qeveria nuk ofroi sqarime të detajuar për një sërë aspektesh të veçanta për të siguruar transparencë të plotë dhe llogaridhëne, duke publikuar rregullore, procedura apo protokolle”.

Për qasjen në informata është konstatuar se qeveria ka siguruar qasje falas për gazetarët në të dhënat e dy institucioneve që kanë baza të të dhënave me interes publik dhe ka filluar konsultime për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik.

Në lidhje me shpifjen dhe ofendimin, vëzhgimi ka treguar se në këtë fushë nuk ka asnjë ndryshim apo ndonjë lëvizje, si dhe se nuk është ndërmarrë iniciativë për ndryshimin e Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim dhe të rregullave procedurale me qëllim që të harmonizohen me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Qeveria nuk ka publikuar masa për mbështetjen e mekanizmave për vetërregullim, e as që ka filluar koordinimi me ekspertët në këtë drejtim.

Konstatimet e raportit i prezantoi Filip Stojanovski, drejtor programor në Fondacionin “Metamorfozis”, për metodologjinë foli Fisnik Shabani nga “Agora”, Kristina Ozimec nga PINA – platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza, nga këndvështrimi gazetaresk i prezantoi ndryshimet dhe problemet në punën e gazetarëve dhe mënyrat për tejkalimin e tyre..

Оbservatori për reforma mediatike do të vazhdojë me ndjekjen e realizimit të Reformave urgjente prioritare edhe në periudhën e ardhshme, duke i prezantuar rezultatet në formë të raporteve periodike, lajmeve dhe storjeve hulumtuese. Të gjitha rezultatet nga ndjekja e realizimit të reformave gjenden në ueb-faqen MediaObservatorium.mk në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.

 

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.