TVM-ja merr frymë në aparate të vjetra, ka video-sinjal të dobët, ndërsa për audio të dytë as që e ka idenë

-

“Radiotelevizioni i Maqedonisë” (TVM) në vend që të ndërtojë urë afrimi, ngriti mure gjuhësore ndërmjet shikuesve, të cilat tani për tani ja po aq të larta sa edhe vetë objekti i televizionit.

Milena Atanasoska-Manasieva – PINA

Programet që i emetojnë në TVM bashkësia shqiptare, turke, vllahe dhe bashkësitë e tjera në vend, nuk arrijnë deri te i gjithë publiku, dhe pesë vite pas digjitalizimit, transmetuesi nacional nuk siguroi mundësi për më tepër audi-osinjale, si dhe për titrim në gjuhët e tjera.

Emisionin debatues “Argument”, përmbajtjet arsimore, informative, dokumentare, si dhe ato zbavitëse që i prodhon redaksia në gjuhën shqipe, mund t’i shohin dhe t’i kuptojnë vetëm ata që e flasin gjuhën shqipe. Audio-sinjal të dytë, gjegjësisht mundësi për ta zgjedhur gjuhën në të cilën mund të ndiqet programi, ka vetëm për mbledhjet e Kuvendit, e sipas bashkëbiseduesve tanë, mu kjo do t’i hapte programet e TVM-së për gjithë publikun.

– Më së shumti do të doja që të gjithë të shohin dhe të kuptojnë se çka punojmë ne, kjo gjithsesi mund të zgjidhet me titre ose me audio-sinjal të dytë, sipas shembullit të kanalit kuvendor, mirëpo tani për tani, edhe pse ka mundësi teknike, mungon kuadri për ta realizuar këtë. Edhe unë për shembull, si redaktore e kanalit të dytë, nuk mund ta kuptoj se çka ka në programet e bashkësisë etnike turke – thotë Migena Gorenca, kryeredaktore e programit të dytë të TVM-së.

Ajo për PINA deklaroi se kanali i dytë ballafaqohet me mungesë të kuadrit, e poashtu ka edhe një situatë absurde – në sistematizimin e vendeve të punës nuk është paraparë përkthyes në gjuhën maqedonase.

– Shumë herë deri tani kam dashur të ftoj ndonjë mysafir maqedonas në emisionet debatuese ose zbavitëse, mirëpo nuk kemi përkthyes, duhet ta paguaj nga xhepi im – thotë ajo.

Njëra nga detyrat thelbësore të transmetuesit publik, sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës, është poashtu të përforcohet kohezioni në shoqëri, sqaron Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë.

– RTM-ja duhet të gjejë mënyrë që programet e bashkësive të përkthehen në gjuhën maqedonase, për shkak se kjo do të ndihmojë për njohjen dhe mirëkuptimin e ndërsjellë – konsideron Selmani.

Për të si gazetar është e pakuptueshme që redaksitë e RTM-së i ndjekin ngjarjet e njëjta me disa gazetarë. Mjafton të ketë një gazetar dhe një kamerë.

– Gazetari i cilës do qoftë redaksie bën kronikë dhe ajo mund të emetohet nga të gjitha redaksitë. Nëse ndonjë redaksi dëshiron që ngjarjen ta trajtojë nga ndonjë kënd tjetër, atëherë mund ta bëjë këtë për shkak se të gjithë disponojnë me bruto-materialin e ngjarjes – thotë Selmani.

RTM-ja ka mungesë të kuadrit të ri

“Vetëm qielli është kufi” është parim që më së miri i përshkruan mundësitë e digjitalizimit. Më tepër audio-sinjale për shfrytëzuesin që të mund ta zgjedhë gjuhën në të cilën do ta ndjekë programin, më tepër titra, më tepër kanale të specializuara, teletekst, janë vetëm një pjesë e tyre. RTM-ja nuk përdor asgjë, sikur koha ka mbetur në vend për ta. Pse ndodh kjo kur dihet se shteti ndan rreth 10 milionë euro për procesin e digjitalizimit? A vetëm fotografia me cilësi shumë të lartë, e cila nuk arrin deri te të gjithë shfrytëzuesit, do të mbetet përfitimi i vetëm?

Cane Petrushevski, udhëheqës i sektorit për teknikë televizive në RTM, thotë se në pesë vitet e fundit kanë pasur investim të madh, kur pajisjet e vjetra më se 30 vjet i kanë zëvendësuar me ato më bashkëkohore. Mirëpo, pasojat nga mosinvestimi paraprak, nuk kanë mundur të eliminohen aq lehtë.

– Atë që ne e bëmë me pajisjet mund ta përshkruaj kështu: Nuk kishim as veshje të brendshme, i blemë ato, mirëpo duhet ta blejmë edhe kravatën dhe kostumin që të jemi plotësisht në krye të detyrës. Na duhen njerëz të rinj. Kemi mundësi teknike për grafikë që do të ishte e shkëlqyeshme, mirëpo në ekran kjo nuk shihet, sepse na duhen njerëz të rinj, që mendojnë në atë mënyrë. Na duhen ide të reja, të freskëta – konsideron Petrushevski.

Edhe ai pajtohet me qëndrimi se RTM-ja nuk i shfrytëzon të gjitha mundësitë e digjitalizimit. Thotë se nuk ka pengesa për të pasur audio-sinjal plotësues edhe në gjuhët e tjera, diçka duhet të shtohet në teknikë, mirëpo shumë më tepër duhet të investohet në burime njerëzore.

– Kjo nënkupton përkthyes, njerëz nga teknika dikush që do ta kontrollojë gjithë procesin – thotë ai.

Petrushevski thekson se digjitalizimi jep mundësi për hapjen e kanaleve të reja të specializuara, diçka që i mungon transmetuesit publik. Na sqaroi se tani nuk kanë ku t’i vendosin përmbajtjet e sportit dhe ato për zbavitje, për shkak se kanali i parë ka për detyrë të emetojë programe me të cilat nuk merren televizionet private, si p.sh. ato për moshat e ndryshme, program kulturor, program arsimor…

– Dhe kur mbahet ndonjë kampionat botëror në ndonjë sport apo Lojërat olimpike, ne nuk kemi ku të emetojmë program. Na duhet kanal i veçantë për sport dhe për zbavitje, dhe logjikisht është që ai të jetë së paku dygjuhësor. Kur ka ndonjë ndeshje të rëndësishme sportive, i njëjti incizim emetohet edhe në kanalin e parë edhe në të dytin, për shkak se nuk ka dy audio-sinjale – thotë ai.

Xhonatan Stounmen, ekspert i mediave dhe gazetar i mëparshëm shumëvjeçar i “BBC”, në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga OSBE-ja, poashtu e theksoi nevojën për titrim të programeve të TVM-së në gjuhët e tjera. Sipas tij, me këtë do të lehtësohet njohja e bashkësive të ndryshme gjuhësore, që të ketë afrim më të madh.

Petrushevski poashtu shton se edhe pse duket sikur televizioni vlon nga kuadri, kjo në realitet nuk është kështu.

– Shumë njerëz u larguan. Kemi vetëm dy vetura për reportazh dhe një më të vogël, mirëpo nuk kemi njerëz për të punuar. Kemi tre studio mobile, mirëpo në rastin më të mirë kemi 10 ngjarje në javë. Mundemi shumë më tepër, mirëpo nuk kemi njerëz për transmetime të drejtpërdrejta. Pozitat e vendeve të punës janë të numëruara, e disa edhe zbrazëta – thotë ai.

Sipas raporteve për punën e TVM-së, deri në fund të vitit 2016, atje ka 864 njerëz të punësuar, 46,4 për qind e të cilëve janë me arsim të mesëm. Drejtori i SHGM-së, Dragan Sekullovski, komenton se në TVM nuk ka krizë vetëm për para, por edhe për punëtorë.

– Gjysma e të punësuarve janë me arsim të mesëm, nuk ka punësime të reja, ndërsa mosha mesatare e kuadrit është 58 vjet, veçanërisht në radio – thotë Sekullovski.

Nevojiten kanale të specializuara

Pikërisht nevojën për hapjen e kanaleve të specializuara e potencoi edhe profesoresha Snezhana Tërpevska nga Instituti për studime të komunikimit. Ajo sqaron se rrjetet me të cilat menaxhon Radiodifuzioni i Maqedonisë tashmë janë të digjitalizuara, ndërsa për RTM-në kjo është një mundësi e madhe që sa më mirë t’i përmbushë detyrat e saj si shërbim publik.

– Kjo do të thotë se mund të emetojë disa shërbime programore që ta përmbushë detyrën e saj për të emetuar prorgame të llojllojshme për pjesët e ndryshme të publikut – thotë ajo.

Sipas saj, procesi i digjitalizimit ngec për shkak se RTM-ja me vite luftonte për të mbijetuar financiarisht. Kjo çon në pyetjen se a ka RTM-ja burime (financiare, kadrovike, për produksion) të emetojë më tepër shërbime programore në rrjetet e digjitalizuara.

– Nëse ju kujtohet, RTM-ja para disa vitesh kishte dy kanale në gjuhën maqedonase. Për ta përmbushur detyrën e saj si shërbim publik (në gjuhën maqedonase) duhet të kthehet programi i mëparshëm i dytë I RTM-së, i cili iu mor kur u hap Kanali kuvendor. Programi i parë duhet të ketë funksion informativ (lajme, programe aktuale informative, dokumentare dhe të specializuara), ndërsa i dyti të jetë për sport, filma, përmbajtje zbavitëse për të rinj – thotë Tërpevska.

Mario Makraduli, profesor në Fakultetin për elektroteknikë dhe teknologji informatike (FETI), konsideron se TVM-ja ka mundësi teknike për më tepër audio-sinjale, mirëpo mungojnë kuadrot, resurset.

–  Televizioni digjital gjithsesi se e ofron këtë mundësi, për një moment mund të transmetohen katër sinjale tonike. Natyra e sinjalit digjital ofron mundësi edhe për më tepër titrime, mirëpo kjo kërkon burime të mëdha njerëzore, dhe gjithsesi, duhet të shtohet diçka edhe në aspekt teknik – konsideron Makraduli.

Mirëpo, ai është skeptik për atë se si do të zhvillohej procesi i përkthimit.

– Është vështirë të ndiqet se a ka përkthyer çdo përkthyes saktësisht në kohë reale apo ka bërë ndonjë gabim. Është hap i ndërlikuar dhe i rrezikshëm, ka mundësi të mëdha për gabime njerëzore. Me përkthimin ka vështirësi në Kuvend, prandaj jam skeptik sa i përket realizimit të kësaj ideje – thotë Makraduli.

TVM-ja që nga qershori është dashur të emetojë program 24 orësh në gjuhën shqipe

Familja e vogël që i përgatit programet në gjuhët e bashkësive të tjera etnike në transmetuesin publik të radiodifuzionit, tani do të përballet me probleme për shkak se në të ardhmen do të duhet të përgatitet program 24 orë në gjuhën shqipe, si dhe kanal i ri për nacionalitetet e tjera. Në fakt, ata ligjërisht janë të obliguar ta bëjnë këtë që nga qershori, mirëpo emetojnë program vetëm 16 orë.

– Është e vërtetë se duhet të emetojmë 24 orë program në gjuhën shqipe. Mirëpo, ku t’i vendosim emisionet e bashkësive të tjera etnike? Të njëjtën pyetje ma parashtruan edhe në mbledhjen e këshillit programor. U përgjigja se nuk mundem redaksitë e tjera t’i hedh në rrugë. Ku do të emetohet programi në gjuhën turke, vllahe, boshnjake, serbe, i cili tani emetohet në kanalin e dytë. A unë duhet t’ua them këtë – thotë Gorenca.

Me ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuale mediatike, që u bënë nga qeveria paraprake, RTM-ja duhet të sigurojë edhe një shërbim programor televiziv në gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve, e cila është e ndryshme nga gjuha maqedonase, ku do të emetohet program 24 orë në çdo ditë të javës, si dhe shërbim programor televiziv që do të emetojë program në gjuhët e bashkësive të tjera joshumicë. Kjo qeveri, e cila e përgatit ligjin e ri, e precizon këtë ligj. Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, paralajmëroi hapjen e kanalit të katërt.

I pyetëm se a është e obliguar TVM-ja që të emetojë program 24 orë në gjuhën shqipe. Na u përgjigjën se ky nen nuk do të ndryshojë, mirëpo precizuan se TVM-ja nuk do të jetë e obliguar të emetojë produksion të ri, të vetin në gjuhën shqipe 24 orë.

–  Për dinamikën e raportimit, gjegjësisht se a janë respektuar parimet e parapara për raportim, është obligim i ASHAAM-it që të bëjë mbikëqyrje – na u përgjigjën nga kabineti i Mançevskit.

Kanali i dytë kërkon së paku edhe 90 punësime të reja

Redaktorja e kanalit të dytë të TVM-së na sqaroi se menjëherë pas miratimit të ndryshimeve për emetim 24 orësh të programit në gjuhën shqipe në qershor, ata kanë dërguar raport deri te qeveria për gjendjen me kuadrin dhe me teknikën, si dhe për gjithçka që quhet t’u sigurohet që ta realizojnë programin.

– Në atë raport, të cilin e përgatitëm para se ta dimë se do të ketë edhe kanal të katërt, shkruam se kemi nevojë për së paku edhe 90 punësime të reja. Tani TVM-ja me siguri do të duhet të bëjë vlerësim të ri, për shkak se prej nesh kërkohet shumë më tepër – thotë Gorenca.

Ajo sqaron se televizioni ka vetëm dy studio të mëdha për incizime, dhe thjesht luftojnë për termine.

– Të gjithë i duam terminet më të shikuara për emisionet debatuese, për programet e mëngjesit, e çka do të ndodhë kur do të hapet edhe kanali i katërt? Si do të punojmë nëse nuk investohet në pajisje plotësuese, jo vetëm në kuadro – pyetet ajo.

Në redaksinë shqiptare ka 52 të punësuar, ndërsa nëse programi i mëngjesit në TVM1 bëhet me gjashtë gazetarë, këtu punohet me dy punëtorë me honorar.

– Kjo vetvetiu flet për gjendjen me kuadrin. Kur do të duhet ta mbulojmë plotësisht një kanal, do të na duhet shumë më tepër se sa atë që e kemi në këtë moment – thotë Gorenca.

Sipas raporteve për punën e televizionit, në fund të vitit 2016 atje kanë qenë të punësuar 624 maqedonas, 156 shqiptarë, 32 turq. Për dallim nga viti paraprak, ka rreth dyzet të punësuar më pak.

Selmani: TVM-ja pacient në komë

Televizioni i Maqedonisë ka borxh, më të madh se sa buxheti i saj për vitin 2018 dhe ai kap vlerën prej mbi 20 milionë eurosh. Financimi i ri i transmetuesit publik (0,7 për qind e buxhetit shtetëror) nuk do t’i mundësojë atij më tepër para. Përkundrazi, do të ketë më pak nëse dihet se RTM-ja vitet e fundit ka pasur buxhet ndërmjet 21 dhe 19 milionë euro. Ministri Mançevski për PINA-n deklaroi se 0,7 për qind e buxhetit shtetëror që do të ndahen për RTM-në do të thotë se RTM-ja do të marrë mbi 19 milionë euro. Mirëpo, sipas Ligjit, nga kjo shumë, për televizionin do të mbeten 74,5 për qind, për shkak se pjesa tjetër shkon për Radiodifuzionin e Maqedonisë dhe për ASHAAM-in. Në përkthim, për televizionin do të ketë 14,4 milionë euro. A mjafton kjo për mbulimin e shpenzimeve, duke i përfshirë edhe borxhet, për hapjen e kanalit të ri të katërt dhe për program 24 orësh në gjuhën shqipe?

– Në asnjë mënyrë kjo nuk mjafton – thotë redaktorja Gorenca.

Me të pajtohet edhe Naser Selmani, i cili sqaron se me zgjidhjen e re ligjore ka kthim prapa sa i përket modelit për financimin e RTM-së. SHGM-ja konsideron se TVM-ja duhet të financohet me 1 për qind të buxhetit dhe se vitin e ardhshëm do të ketë pesë milionë euro më pak se sa këtë vit.

– Paramendoni me buxhet prej pesë milionë eurosh më pak, RTM-ja duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet e vjetra, e poashtu duhet të hapë dy kanale të reja, njëri me program 24 orë në gjuhën shqipe, ndërsa tjetri dedikuar programit të bashkësive më të vogla etnike. Është e qartë se TVM-ja nuk është e përgatitur as në aspekt kadrovik, e as në aspekt teknik që të përballet me këto sfida të reja – thotë Selmani.

Ai supozon se programi i bashkësive do të jetë jocilësor dhe me siguri hapësirën do ta plotësojnë duke i reprizuar programet e vjetra.

Selmani zbulon se këshilli programor i RTM-së këtë muaj ka miratuar propozim-plan për implementimin e kanalit të dytë në gjuhën shqipe, për të cilin kanë paraparë rreth dy milionë euro. Nëse për kanalin e katërt për bashkësitë më të vogla harxhohen edhe së paku një milionë euro, RTM-ja do ta fillojë vitin 2018 me 12 milionë euro, konsideron Selmani.

Nga kabineti i ministrit Mançevski na konfirmuan se nuk ka mjete shtesë për kanalin e katërt.

– Mjetet për këtë kanal janë siguruar nga buxheti, si pjesë e 0,7 për qind që do të ndahen nga buxheti dhe do të transferohen në llogarinë e RTVM-së – na deklaruan nga kabineti i Mançevskit.

Selmani është i sigurt se RTM-ja assesi nuk ka mundësi t’i përmbushë obligimet e saj.

– Do të vazhdojë të jetë si një pacient që merr frymë me ndihmën e aparateve. Qeveria dëshiron ta luajë rolin e mjekut, i cili praktikisht vendos se a do të vazhdojë pacienti të marrë frymë apo do ta përfundojë jetën. Me këtë qasje joserioze dhe jo të sinqertë të qeverisë, RTM-ja asnjëherë nuk do të shndërrohet në shërbim serioz publik për qytetarët, por do të ekzistojë sa për t’u thënë se kemi shërbim publik sepse patjetër duhet ta kemi për shkak të Bashkimit Evropian – thotë Selmani.

Në raportin e fundit të Pribe-s, përveç vërejtjeve për reformat në TVM, poashtu është konstatuar se ambienti mediatik në vend karakterizohet me një numër të madh të aktorëve, me 130 kanale të radios dhe të televizionit, mirëpo edhe se mediat kryesisht ndahen sipas vijave politike dhe atyre etnike.

– Ashtu siç e kemi shoqërinë, ashtu i kemi edhe mediat. Jemi të ndarë krejtësisht si shoqëri në baza etnike, e kjo është kështu edhe te mediat. Nuk e dimë se çka ndodh me njëri tjetrin, shkojmë në ngjarje të njëjta, secili e paraqet tregimin sipas këndvështrimit të vet. Transmetuesi publik ka mundësi ta ndryshojë këtë, mirëpo qeveria duhet të tregojë vullnet, para së gjithash duke na mundësuar kushte për punë – thotë redaktorja Gorenca.

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

“TikToku dëmton fëmijët”: Përderisa Shqipëria përgatitet për ndalesë, RMV-ja e la në harresë nismën e tillë

Pak ditë pas vrasjes së një nxënësi 14 vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në Tiranë, Qeveria e Shqipërisë ka propozuar kufizimin e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat te fëmijët. Një...

Vuçiç hedh poshtë pretendimet se Serbia do të pushtojë Kosovën e Veriut

Nga Barbara Halla- Përgjatë shtatorit, në mediat shqiptare qarkulloi gjerësisht lajmi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me datë 13 shtator do të shpallte zaptimin e territorit verior të Kosovës. Ky lajm, i cili...

Shteti Bektashi, një histori pa histori

Nga Ben Andoni Më 21 shtator, në faqet e gazetës së njohur amerikane “New York Times”, do të shfaqej një artikull me titullin “Shqipëria planifikon një Shtet të ri mysliman brenda kryeytetit...

Polemika mbi luftën hibride pas publikimit të audio-incizimit mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit

*Përgatiti: Fitim Gashi Publikimi i një audio-incizimi nga “Paparaci” mes shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiqit, që për shumë vite ishte figura kryesore në veri e lidhur me krimin...