Me qëllim të promovimit të turizmit në mënyra inovative, nga partnerët e projektit STEP do të krijohet platformë online e quajtur iTop. Kjo platformë do të ndihmojë turistët të kenë qasje më të lehtë deri të paketat turistike të cilat do të ofrohen, njofton Portalb.mk., transmeton Meta.mk.

Florent Bajrami, koordinator i projektit “STEP – Avansimi i turizmit inovativ në rajonin e Pollogut dhe Elbasanit” tha për Portalb se platforma online do të realizohet pas krijimit të rrjetit të etniteteve që merren me turizëm dhe krijimit të paketave të përbashkëta turistike, që në këtë rast do të jenë paketa të krijuara për rajonin e Pollogut dhe Elbasanit.

“Aktivitetet në përgjithësi janë krijimi i rrjetit të të gjitha etniteteve që merren me turizëm si dhe institucioneve që kanë të bëjnë me këtë lëmi. Pas krijimit të rrjetit, ku për momentin kemi 140 anëtarë, në punëtorinë e sotme planifikohet të krijohen paketa turistike të përbashkëta. Më pas do të hapet platfora digjitale iTop, ku tërë këto paketa do të promovohen, me qëllim që turistët të kenë më lehtë qasje deri te informacioni se çka saktësisht ofrohet. Gjithashtu, janë të parapara edhe trajnime që kanë të bëjnë me videomarketing dhe blok marketing, të cilat do të kenë të caktuar mentor për ndjekjen e procesit”, tha Florent Bajrami.

Ndërkaq, Sadik Abdurahimi, udhëheqës (guide) profesional, tha se rajonet e Sharrit kanë nevojë për një platformë të tillë digjitale për promovim. Ai theksoi se turistë të shumë nga Ballkani dhe Evropa vijnë për të parë bukuritë e Sharrit, por edhe më shumë do ta vizitonin vendin në qoftë se do të promovohej në mënyrë inovative.

“Unë marr pjesë në këtë projekt që të kontribuoj në promovimin më mirë të këtyre viseve. U bënë disa vite që eksploroj bukuritë e Sharrit dhe them se kemi nevojë për platformën digjitale. Mendoj se krijimi i paketave turistike do të ndihmojë që turistë jo vetëm nga Ballkani dhe Evropa, por edhe më gjerë të vijnë dhe të vizitojnë vendin tonë”, tha Abdurahimi.

Sipas Blerim Shaqirit, përfaqësues i agjencisë turistike “Jeta air” në këtë projekt, qëllimi i të gjitha aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të projektit të STEP, është që të identifikohen të gjithë aktorët e sferës së turizmit, bashkë me pjesën e Elbasanit, me qëllim që në të ardhmen të rritet rrjeti dhe të dalin me produkte të përbashkëta për promovim të turizmit në këtë rajon.

“Me anë të aktiviteteve të këtij projekti jemi munduar të identifikojmë problemet, si mund t’i zgjedhim këto probleme dhe si në mënyrë më inovative të promovojmë turizmin për turistët e jashtëm, që ai të ketë mundësi të marrë vlerat që duhet ne t’ia bartim”, tha Shaqiri.

“STEP – Avansimi i turizmit inovativ në rajonin e Pollogut dhe Elbasanit” po zhvillon sot në Hotel Scardus nëKodrën e Diellit në Tetovë punëtori dy-ditore.

Ndryshe, projekti implementohet nga Fondacioni Metamorfozis ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian ndërsa partnerë janë: “Qendra për zhvillimin e rajonit të Pollogut” dhe “Këshilli i Qarkut të Elbasanit”.

Në projekt marrin pjesë 25 subjekte turistike dhe entitete tjera që kanë të bëjnë me turizmin, nga rajoni i Pollogut dhe Elbasanit (50 në total), për të punuar praktikisht në krijimin e këtyre paketave turistike, që më vonë do të prezantohen edhe në platformën digjitale iTop.