Facebook — nën llupën e verifikuesve të fakteve
Në Kosovë, një ndër verifikuesit kryesor të fakteve është Krypometri, që mund të gjendet si kategori brenda portalit Kallxo.com që nga viti 2016. Prej vitit 2018, Krypometri e ka marrë edhe vulën e Facebookut për t’u dhënë etiketat publikuesve të përmbajtjeve në Facebook. Tashmë Kallxo njihet si “third party fact-checker” dhe deri tash është i vetmi bashkëpunëtor i META në Kosovë. Ndërkohë, Krypometri është pjesë edhe e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikuesve të Fakteve (IFCN), organizatë e cila monitoron tendencat në kontrollin e fakteve, ofron burime trajnimi dhe ofron një vend për bashkëpunim midis afër 200 verifikuesve të fakteve në mbarë botën.
Kategoritë e keqinforimimit
Janë gjashtë kategori të keqinformimit që mund të lajmërohen përmes third party factcheckers:
— mungon konteksti (kur përmbajtja e përçon në mënyrë indirekte një pretendim të rremë),
— e ndryshuar (kur materiali video, audio apo fotografik ndryshohet në një formë që mund ta çorientojë audiencën),
— pjesërisht e rreme (kur publikimi ka disa pasaktësi në fakte),
e rreme (që s’është e bazuar në fakte),
— satirë (kur materiali ka përdorim të ironisë apo ekzagjerimit dhe që vlerësohet se nuk kuptohet si i tillë lehtësisht nga audienca),
— si dhe e vërtetë (kur nuk ka pasaktësi).
Krypometri, thuajse në baza ditore, trajton një mori faqesh të Facebook, që tashmë i kanë etiketat e informacionit të rremë apo lajmit, që i mungon konteksti.
Prej vitit 2018, Krypometri e ka marrë edhe vulën e Facebookut për t’u dhënë etiketat publikuesve të përmbajtjeve në Facebook.
Në bazë të politikave të Facebookut, llogarive që publikojnë postimet keqinformuese dhe dezinformuese dhe vetë postimeve që lajmërohen prej verifikuesve të fakteve bashkëpunëtorë të META u ulet dukshmëria brenda platformës. Kështu, këto postime arrijnë te më pak njerëz.
Dezinformatat e publikuara shpërndajnë informata të pasakta për figura publike, zhvillime politike e çështje sociale.
Verifikuesi i fakteve, Hibrid.info demanton dhjetra artikuj dezinformues në baza ditore.
Në qershor të këtij viti, në vazhdën e tensioneve në komunat me shumicë serbe, një video e manipuluar me ndihmën e inteligjencës artificiale e njohur si deepfake, u shpërnda prej qindra personave në X, emri i ri i platformës që dikur ishte Twitter, si dhe në faqe të Facebookut.
Në videon deepfake është e vendosur një fotografi e përbashkët e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Në materialin e fabrikuar shihet Hovenier që i thotë Kurtit se do të ketë pasoja për arrestime të pabaza të serbëve të veriut. Në videon deepfake Kurti i përgjigjet Hovenier se do t’i arrestojë serbët pavarësisht a kanë kryer vepra penale, për ta futur veriun e vendit nën kontroll të Kosovës. Zëri e theksi i Hovenier tingëllon i ngjashëm me atë që e ka në të vërtetë, por kryeministrit Kurti i mveshet një theks britanik.
Kjo video u shpërnda gjatë një periudhe tensionesh në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, pas zgjedhjeve të 24 prillit në këto komuna.
Adea Beqaj, zyrtare e lartë e programit të NDI për Integritetin e Informacionit thotë se qëllimi i kësaj dezinformate ishte të nxitej mosbesim.
“Janë përdorur figurat e kryeministrit të vendit dhe ambasadorit amerikan, ku përmes paraqitjes së një bisede fiktive tentohet të dëmtohen të dyja palët. Konteksti kur ka ndodhur ky manipulim i informacionit është i rëndësishëm, ngase i kontribuon destabilizimit të vendit dhe thellimit të ndarjeve etike [mes serbëve e shqiptarëve të Kosovës]”, thotë Beqaj.
Aplikacionet e mesazheve janë më problematike, kur është fjala për shpërndarjen e dezinformimit. Kjo sepse moderatori në grupe të mbyllura vendos se çfarë plasohet dhe grupi konsiderohet privat, përderisa nuk ndodh diçka e paligjshme si në rastin e Telegramit.
Një prej burimeve të keqinformimit në raport me Kosovën, SNS dhe Vučić, paguajnë njerëz për të komentuar e shpërndarë përmbajtje të ndryshme qoftë mbështetëse për SNS e Vučić, qoftë edhe për t’i shtypur me fushata të targetuara kritikët e kundërshtarët politikë.
Si Krypometri ashtu edhe Hibrid.info merren me përmbajtjen keqinformuese të publikuar në këtë medie sociale, por thonë se është e vështirë të përcillet meqë ka vëllim të madh.
Feature image: K2.0.