Ulje të importit dhe të eksportit me Britaninë e Madhe është pasoja e mundshme për ekonominë maqedonase nga dalja e këtij shteti nga Bashkimi Evropian. Por, në përgjithësi nuk do të ketë zhvendosje më të rëndësishme dhe efekte negative për ekonominë e Maqedonisë.
Nga Oda ekonomike e Maqedonisë shprehen se ndikimi i Breksitit për ekonominë e Maqedonisë shumë varet nga hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në raport me harmonizimin e të gjitha detajeve dhe kushteve për dalje, si dhe nga rregullimi i marrëveshjeve tregtare me vendet tjera që nuk janë anëtare të Bashkimit.

– Tani shtrohet pyetja nëse dhe kur do të aktivizohet neni 50 i Marrëveshjes së Lisbonës, i cili përfshinë procesin e ndarjes nga BE-ja që do ta zgjaste dy vite. Meqë Britania e Madhe është vendi i parë që e braktisë Bashkimin, deri tani nuk është saktësuar dhe e njohur deri në fund, edhe në kuadër të BE-së, se çfarë implikimesh do të mund të shkaktoheshin pas këtij vendimi – shprehen nga Oda ekonomike.

Kompanitë maqedonase presin që pas rënies së vlerës së sterlinës, gjendja do të normalizohet dhe se nuk do të ketë zhvendosje më të rëndësishme dhe efekte negative për ekonominë e Maqedonisë.

Sipas Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE), për ekonominë tonë është e rëndësishme se çfarë marrëveshje ekonomike do të arrijë Britania me BE-në pas daljes zyrtare.

– Kjo veçanërisht ka të bëjë me marrëdhëniet tregtare të Gjermanisë me Britaninë, që eksporton rreth 100 miliardë dollarë në vit në Britani, ndërsa është partneri ynë më i madh tregtar ku realizoi 44 për qind të eksportit tuaj – shprehen nga LOE.

Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar i Maqedonisë me Britaninë e Madhe në katër muajt e parë të vitit 2016 arriti vlerën prej 254,2 milionë dollarë, që paraqet rënie prej 8,17 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.