Ahmeti për gazetën e Vjenës “Standard: Çfarë zgjedhje? Talleni me mua?

 

“Çfarë zgjedhje? Talleni me mua”? Ky është reagimi i parë i kreut të BDI-së Ali Ahmeti në pyetjen e parë në intervistën për gazetën austriake “Standard” lidhur me anulimin e zgjedhjeve.

Kreu i BDI-së, pas reagimit shpjegon se qëndrimi i partisë së tij është përmbushja e të gjitha kritereve, me qëllim që të mbahen zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike.

“BDI dëshiron të përmbushen gjitha kriteret, që zgjedhjet të pranohen nga gjithë palët – edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Ne katër partitë vendosëm të shtyjmë zgjedhjet për 5 qershor. Për shtetin nuk do ishte mirë, të shkohej në zgjedhje pa opozitën. Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet të dalë dhe të tregoje sesa janë plotësuar kriteret e opozitës. Duhet të komentohen edhe nga ndërkombëtarët. është një situatë kaotike në vend. Nuk funksionon më drejtimi. Secili është duke pritur.

Ai thotë se i ashtuquajturi president Gjorgje Ivanov i cili nuk është i zgjedhur nga shqiptarët dhe të cilët që nga fillimi dyshojnë në aftësinë e tij, duhet të tërheq vendimin për falje sepse është e papranuar dhe kundër shtetit juridik.

“Vendimi i të ashtuquajturit president nuk është i pranueshëm, ai nëpërkëmb shtetin ligjor dhe si i tillë duhet të tërhiqet. Do ishte mirë sikur ta tërhiqte: më mirë vonë sesa kurrë. Nëse nuk ka takim për tejkalimin e krizës do të jetë vështirë” tha Ahmeti.