Për gjashtë vite, sipas indeksit të lirisë së mediumeve Maqedonia ka shënuar rënie prej 49 pozitave. Në vitin 2010, vendi ishte në pozitën e 68 që sot sipas “Reporterë pa kufij” të gjendemi në pozitën e 117-të.

Siç thuhet në raportet vjetore, për gjendjen e keqe në mediumet në Maqedoni ka kontribuar mbyllja e shumë mediumeve, përdorimi i hapësirës mediale si vegël për “edukimin” e mediumeve, numri i madh i rasteve gjyqësore kundër gazetarëve dhe ndërrimi i redaktorëve.

Viteve të fundit e tërë skena mediatike në Maqedoni është kthyer mbrapsht. Vështirë mund të thuhet saktë se sa në numër transferime të gazetarëve dhe redaktorëve ka pasur, edhe pse disa pohojnë se për 5 vite ka pasur gjithsej 50 ndërrime apo largime të redaktorëve dhe gazetarëve për shkak të presioneve apo qejfit të pronarëve.

Në ndërkohë u mbyllën disa mediume të shtypura dhe elektronike.

Ja si u zhvillua ky proces

Ndërrimi i fundit ndodhi në shkurt të këtij vitit, ku kryeredaktorja dhe redaktorja përgjegjëse i portalit “Telegraf”, në pronësi të MPM, Ivan Kostovska, dha dorëheqje. Siç shkruanin mediumet, dorëheqja e saj ka qenë për shkak të presioneve nga menaxhmenti. Më herët, kryeredaktor i këtij portali ishte Zoran Riçliev i cili në fillim është ndërruar e më pas edhe larguar nga MPM.

Në korrik të vitit 2014, pas ardhjes së Atanas Kirovskit në krye të TV Telma, ku e zëvendësoi numrin një Risto Lazarov, i cili u pensionua, nga posti udhëheqës i lajmeve në këtë televizion është ndërruar edhe redaktorja shumëvjeçare Emilija Lazarevska.

Në shkurt të vitit 2014 u shkarkua nga puna kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës i “Nova Makedonija”, Zoran Dimitrovski. Sipas tij, pronari i ka thënë se shkarkimi është për shkak se i ka shkelur standardet profesionale gazetareske dhe ka manipuluar politikisht.

Në mars të vitit 2013, gazetarja Bogdanka Kuzevska u emëruar për kryeredaktore i televizionit “24 Vesti” ndërsa Bobi Hristov u ndërruar. Në atë periudhë, në “24 Vesti” si drejtor programi ishte emëruar Zoran Ivanov, i cili pas shkarkimit nga “Alfa” publikisht tha se largohet nga gazetaria dhe se i kthen të gjitha mirënjohjet që i ka marrë deri më tani. Megjithatë, Kuzevska në këtë post qëndroi vetëm disa muaj, pas çka u ndërrua nga Goce Mihajlovski. Ndërsa ai para pak kohe u ndërrua nga Sead Rizvanoviq. Mihajlovski dha dorëheqje dhe në Facebook shkroi:

“Me menaxhmentin ndonjëherë kemi pasur mendime të kundërta për një pjesë të programit, por kjo nuk është arsyeja e vetme dhe kryesore për tërheqjen time”.

Në vitin 2013, në televizionin “Alfa” në vendin e Zoran Ivanov, i cili dha dorëheqje, erdhi Kole Çashule, i cili ishte redaktor i gazetës ditore “Den”, që doli në shitje rreth një viti.

Në nëntor të vitit 2012, Zoran Andonovski, kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës i “Dnevnik” dha dorëheqje, për arsye profesionale.

“Dorëheqjen e dorëzova për arsye profesionale sepse nuk mundja ta menaxhoj gazetën siç unë mendoj se është e nevojshme. Zyrtarisht, prej sot jam në pushim vjetor” deklaroi atëherë Andonovski për mediumet.

Andonovski u ndërrua nga Darko Janevski, i cili ishte redaktor në “Nova Makedonija”.

Në vitin 2011 u ndërrua kryeredaktori i “Dnevnik” Zoran Dimitrovski të cilin e trashëgoi Sasho Kokalanov, i cili më vonë u emërua si redaktor në pjesën elektronike. Pas disa muajve u largua nga MPM.

Në “Utrinski Vesnik” në vitin 2012 u ndërruan tre kryeredaktor. Pas Lupço Popovskit, në krye erdhi Nina Nineska- Fidanoska ndërsa vetëm pas disa muajve ajo u ndërrua nga Sonja Kramarska, e cila ende është në këtë post.

Në shtator të vitit 2012, Goran Petreski e morri rolin drejtues redaktues në lajmet e TVM.

Në vitin 2009, nga posti kryeredaktor i “Kanal 5” u ndërrua Aco Kabranov, i cili më pas e hapi portalin “Libertas”. Në  vendin e tij erdhi Lidija Bogatinova, e cila ende është në këtë post. Më vonë Kabranov u bë kryeredaktor i televizionit “Alfa”.

Mbyllja e mediumeve

Në vitin 2013 u mbyll gazeta ditore “Kapital” redaktor i të cilës ishte Spasijka Jovanovska. U shkarkuan edhe dhjetëra gazetarë.

Në vitin 2013 u mbyll gazeta ditore “Fokus” redaktor i të cilës ishte Nikolla Mlladenov ndërsa kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës Branko Geroski.

Në vitin 2012 dështoi gazeta ditore “Den” në krye me Kole Çashulen.

Në vitin 2012 doli edhe javorja “Gragjanski” në krye me Mile Jovanovski si kryeredaktor ndërsa redaktor ekzekutiv ishte Katerina Bllazhevska. Ajo më herët ishte redaktore përgjegjëse në gazetën “Dnevnik”. Javorja u mbyll në vitin 2013. Në të punonte edhe Vasko Popetrevski, i cili ishte redaktor në televizionit “Kanal 5” dhe “Dnevnik”.

Në vitin 2011 u mbyllën tre mediume nga një grupacion – perandoria e Velija Ramkovskit. U mbyllën gazeta “Shpic” kryeredaktor i të cilës ishte Branko Geroski, “Vreme” e Kole Çashules dhe televizioni “A1” i Mladen Çadikovskit si kryeredaktor. U  mbyll edhe magazina “1E” kryeredaktor i të cilës ishte Aneta Koçishki, e cila më vonë u akuzua për kriminalitet ndërsa u dënua me 2,5 vite burg me kusht. Nga ky grupacion pa punë ngelën dhjetëra gazetarë.

Në vitin 2011 u mbyll “Forum” që ishte nën udhëheqjen e Atanas Kirovskit, që prej vitit 2014 është drejtori i ri dhe kryeredaktori i televizionit Telma si dhe “Life Magazine” redaktor  i të cilit është Lupço Jolevski. Këto ishin mediume të kompanisë IT “Sivus”. Vendimi për mbylljen e këtyre mediumeve u bë pa kurrfarë paralajmërimi. Më 31 gusht të vitit 2011 gazetarëve iu tha se prej 1 shtatorit të vitit 2011 këto mediume nuk do të dalin. Prej tre mediumeve, vetëm agjencia  “Makfaks” vazhdoi të funksionoj.

Në vitin 2009 u mbyll magazina “Globus” që e redaktonte Branko Triçkovski. Pa punë ngelën dhjetëra gazetar, mes të cilëve edhe ish të punësuar në “Utrinski Vesnik” të cilët nga menaxhmenti i MPM u drejtuan në projektin “Globus” që kishte licencën e javores kroate.