Han: Pas kësaj, dyshoj në zgjedhje korrekte

Euro- komisari për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Johanes Han sot dënoi vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov për zhvlerësimin e proceseve gjyqësore kundër politikanëve, duke theksuar se kjo është kundër sundimit të së drejtës.

“Deklarata e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov që të gjithë politikanët të amnistohen, ashtu siç unë  e kuptoj është e papranueshme dhe nuk është në përputhshmëri me sundimin e së drejtës. U bëj thirrje të gjithë liderëve të partive që të kthehen në bisedime dhe të fokusohen për zgjedhje korrekte dhe transparente dhe mendoj që një pjesë e asaj është pastrimi i listës zgjedhore, por gjithashtu edhe mos-bojkotimi i zgjedhjeve”, tha Han në Tuiter.

Ivanov me këtë rast nuk ka nënvizuar se për cilët politikanë bëhet fjalë. Ivanov ka theksuar se vendimin e ka marrë vetë dhe se për këtë nuk i ka njoftuar politikanët për arsye se ndoshta ndonjëri prej tyre ndihet i pafajshëm dhe këtë dëshiron ta tregoj përmes procedurës gjyqësore.