Vanhojte: Nëse ka vullnet të mirë, marrëveshja mund të arrihet për disa orë

Partitë politike duket se kanë afruar qëndrimet për reformat në media, një ndër çështjet e pazgjidhura nga Marrëveshja e Përzhinës. Palët në dialog sot bisedojnë rreth përbërjes së Agjencisë së medias, e cila thuhet të jetë pika e fundit e pazgjidhur në këtë dialog.

“Çështja kryesore është agjencia e mediave si trup rregullues. Duhet ta rregullojmë mënyrën se si do të formohet këshilli. Partitë shqiptare vazhdojnë të mbeten konstruktive dhe po propozojnë mënyra interesante dhe kreative. Derisa ka propozime të tilla, mbetemi me shpresë pasi kjo është e shëndosh për procesin. Derisa ende flasim mund të thuash se është mirë në negociata, e keqja fillon kur të ndërpritet dialogu”, deklaroi Piter Vanhojte, ndërmjetës.

Në takimin e sotëm gjithashtu do të marrin pjesë ambasadori amerikan në vend  Xhes Bejli dhe Aivo Orav.

Vanhojte nuk dinte të konfirmojë nëse komisari për zgjerim Johanes Han nesër do të udhëtoj për në Maqedoni ose përfaqësuesit e partive politike do të shkojnë në Bruksel.