Përzgjedhja e politikanëve të sinqertë që nuk kanë qenë të lidhur me korrupsion është hapi i parë në ndërtimin e demokracisë suaj- porositi eksperti belg dhe ish ndërmjetësi në grupet e punës për zbatimin e Marrëveshjes së Pëzhinës, Piter Vanhojte.

Ai thotë se megjithatë zgjedhjet nuk janë qëllimi final, por se fillimi i ndryshimeve të n nevojshme. Ai paralajmëroi se këto zgjedhje nuk duhet të jenë referendum për, siç tha ai, politikanë të caktuar apo parti politike që të vazhdojnë me varrosjen e demokracisë.

“Kur isha në Maqedoni jam takuar me anëtarë të qeverisë suaj, me politikan dhe përfaqësues të partive që qorrazi mbështesin vepra të vërteta kriminale, politikanë që janë të futur në korrupsion, i vjedhin paratë taja dhe i fusin në llogaritë e tyre bankare jashtë shtetit, kanë lidhje me krim të organizuar dhe nuk duan të mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre. Për këtë ata kontrollojnë gjyqësorin dhe evitojnë burgun. Kam parë gazetarë dhe redaktorë që ishin të shkarkuar dhe të detyruar të japin dorëheqje vetëm pse kanë kritikuar pushtetin” thotë Vanhojte.

Eksperti belg thotë se ka qenë dëshmitar si parti t’i kontrolloj qytetarët dhe t’i detyroj t’i japin përkrahje.

“E njëjta parti tani premton shumë projekte, thotë se do të punësoj dhe se do të jetoni si në parajsë. Kjo është larg nga e vërteta. Ata nuk lejojnë kritika, nuk lejojnë të jetoni të lirë. Në vend të kësaj, ata ju japin grimca ndërsa ikin me tortën”.

Vanhojte u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë të dielën dhe të mos kenë frikë se do ta humbin punën nëse ndryshojnë pushtetin. Ai këshilloi qytetarët që të mendojnë për ardhmërinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre.