Grupet e punës dhe ndërmjetësi Van Hojte në pauzë deri të hënën

Grupet e punës të partive politike që firmosën Marrëveshjen e Przhinos do të pushojnë deri të hënën, për shkak të mungesë së ekspertit belg dhe ndërmjetës në këto bisedime, Piter van Hojte i cili fundjavën do ta kaloj në Belgjikë. Kah fillimi i javës së ardhshme në tavolinë mund të gjenden sërish temat për mediumet dhe ligjet zgjedhore. Dje në Klubin e deputetëve në Shkup filluan bisedime për rregullimin e sferës së mediumeve.

Në takim me prezantim për servisin britanik mediatik BBC ka pasur edhe eksperti britanik, Riçard Bejli. Ai ka ofruar zgjidhje si të tejkalohet ky problem me presion politik ndaj mediumeve në Maqedoni.

Në takim ishin edhe përfaqësues të SHGM dhe AMG. Ata dolën me qëndrimet dhe pritjet e tyre nga këto bisedime. Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani tha se kjo organizatë ka dalë me pesë qëndrime që të zgjidhet kjo gjendje kaotike në hapësirën mediatike. Mes tjerash ai kërkoi që dorëheqje të jep zëvendës- kryeministri Vlladimir Peshevski. Më pas duhet të ndërpriten paditë e politikanëve ndaj gazetarëve sepse funksionarët i kanë demantin dhe përmirësimin si mundësi. Propozuam ndryshimin e udhëheqësisë programore të servisit publik dhe kërkuam ndërpritje urgjente të reklamimit komercial politik nëpër televizionet private.

Ivona Talevska nga AMG theksoi se edhe kjo shoqatë ka pasur disa kërkesa në takimin e grupeve të punës. Ata kanë kërkuar që të ashpërsohen dënimet për ofendim dhe shpifje ndaj gazetarëve, të ndryshohet financimi i servisit publik e gjithashtu është e rëndësishme që edhe çështja e portaleve të përfshihet në ligjet ekzistuese.

Kryetari i grupit të punës në LSDM, Robert Popovski konsideron se sa më shpejtë duhet të tejkalohet problemi i mediumeve.

“Çështja e mediumeve është kyçe që të mbahen zgjedhje korrekte dhe demokratike. Për këtë insistojmë që kjo çështje të zgjidhet deri më 15 tetor, që mediumet të kenë kohë të mjaftueshme që të rregullohen deri më zgjedhjet e prillit vitin tjetër. Nëse kjo nuk zgjidhet, s’mund të largohemi nga syzet e tyre rozë” deklaroi Popovski.

Grupet e punës përveç për mediumet paralelisht do të bisedojnë edhe për çështjet e zgjedhjeve gjegjësisht mënyrën për emërimin e anëtarëve të KSHZ-së, sjelljen e vendimit në këtë Komision, votimin e Diasporës dhe pastrimin e listës zgjedhore.