Partitë s’mund të merren vesh as për ekspertët në KSHZ

Zvogëlohen mundësitë që nesër Kuvendi t’i votoj anëtarët e KSHZ-së, që u dakorduan partitë politike nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos, mëson “Meta”.

Sipas informacioneve tona, partitë s’mund të merren vesh për emrat e tre ekspertëve që do të jenë anëtarë të Komisionit. Ndryshe sipas marrëveshjes, sot duhet të ishin të njohur emrat e ekspertëve ndërsa nesër të jenë para seancës parlamentare për votim. Deri më tani nuk është i njohur asnjë emër.

Ndërsa partitë javën e kaluar propozuan anëtarë të tyre për KSHZ-në. Violeta Duma që tani është anëtar aktual i KSHZ-së dhe Igor Milev janë propozimi i LSDM, Silvana Boneva dhe Sasho Orcev që gjithashtu janë anëtarë aktual të KSHZ, janë propozim i VMRO DPMNE-së. Subhi Jakupi nga BDI dhe Bedredin Ibrahimi nga PDSH janë anëtarët aktual të trupit më të lartë zgjedhor në vend.

Ndryshe, në përbërjen e KSHZ ka 9 anëtarë, tre nga opozita, tre nga pushteti dhe tre nga radhët e ekspertëve.

Anëtarët e KSHZ i emëroi Kuvendi me shumicë të dy të tretave ndërsa nga radhët e anëtarëve zgjidhen kryetari dhe nën- kryetari i Komisionit. Si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinos, ndryshimet në kodin zgjedhor parashohin kryetari ose nën- kryetari i KSHZ të zgjidhen nga radhët e pjesëtarëve të komunitetit më të madh jo- shumicë.