Në opinion ka shumë pak spekulime për atë se kush është kandidati më serioz për të zëvendësuar kryeministrin Nikolla Gruevski edhe pse afatet për këtë ngushtohen. Në Marrëveshjen e Përzhinos parashihet që kryeministri të tërhiqet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 24 prill vitin e ardhshëm.
Informacioni më i fundit i gazetares Mirka Velinovska është se kolltuku i kryeministrit po përgatitet për ministrin aktual të mbrojtjes, Zoran Jolevski.
“Mos mendoni se populli do të vështroj zbrazët nëse i njoftoni se kryeministri i ardhshëm teknik do të jetë Zoran Jolevski, i cili për komandant të vetin suprem e konsideron Xhon Mekejn i cili e mposhti Ukrainën, inkurajoi ISIS-in dhe promovoi Al Kaedën si këmbësori amerikane. Mos mendoni se nuk na shkon në mend se në rast të këtillë hapi i radhës do të jetë largimi i Gruevskit nga posti në VMRO DPMNE dhe nga politika. Të na zë raundi i dhjetë ndërsa të mos kemi ajër deri para zgjedhjeve” shkroi ajo.
Nëse i lëmë anash spekulimet të llojit se kryeministri do të jetë person i besueshëm i Gruevskit dhe se do të jetë nga rrethi i tij i ngushtë, shumë pak emra deri më tani u lakuan nëpër qarqet politike. Emrat që në opinion janë përmendur më shpesh janë ai i shefit të diplomacisë, Nikolla Poposki, por edhe zëvendës- kryeministri i eurointegrimeve, Fatmir Besimi.
Gjithashtu, qarqet politike përmendin emrin e deputetit Antonio Milloshoski dhe atë të financave dhe arsimit, Zoran Stavreski dhe Nikolla Todorov.
Megjithatë, e tërë kjo është në suazat e spekulimit politik ndërsa nuk përjashtohet mundësia që edhe kjo të jetë një “grep” që të shpërqendrohet fokusi nga personi i vërtetë.
Drejtori i Qendrës për komunikime në VMRO DPMNE, Ivo Kotevski, thotë se partia nuk do të heq dorë nga afatet e parapara me marrëveshjen politike.
“Kur të vijë koha do të informoheni” ishte përgjigja e shkurtë në pyetjen “Kush do të zëvendësoj Gruevskin”.
Javën e kaluar në promovimin e projektit “Bli shtëpi për të rinj” kryeministri Gruevski tha se data e tërheqjes nga funksioni do të dihet kur të vijë koha, në përputhje me afatin ligjor.
Ndërsa dje euro-komisari për zgjerim Johanes Han dërgoi letër deri te partitë politike nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos, ku shpreh shqetësimin e tij për shkak të tejkalimit të afateve për zbatimin e marrëveshjes, transmetoi “Tv Shenja”.
Ish euro –ambasadori në Maqedoni, Ervan Fuere në një kolumnë shkroi se shpresa e vetme Maqedonia të del nga kjo krizë janë zgjedhjet e parakohshme të anulohen të paktën për 3 deri 6 muaj.