“Deklarata e Zaev është skandaloze dhe homofobe”, reaguan 27 shoqëri civile

Deri në 27 organizata të shoqërisë civile, përfshirë Fondacionin Metamorfozis, Fondacionin Shoqëria e Hapur – Maqedoni, Komiteti i Helsinkit, Instituti i të Drejtave të Njeriut, Shoqata e Avokatëve të Rinj Maqedonas “Reaktor”, dënuan deklaratën e djeshme të kryeministrit Zoran Zaev në një deklaratë të përbashkët, njofton Meta.mk.

Organizatat kanë paralajmëruar se sjellja e Zaev, e cila thoshte se “nuk do lejojë disa kriminelë, një gazetar sqimatar dhe një pederast ta rrëzojnë qeverinë aktuale” inkurajon gjuhën e urrejtjes.

“Ne e dënojmë ashpër deklaratën skandaloze, të papërshtatshme, homofobe të kryeministrit Zoran Zaev, por edhe deklaratën me të cilën diskrediton gazetarët që vëzhgojnë në mënyrë kritike punën e qeverisë. Ky lloj i të folurit publik nga dikush që mban pozitën më të lartë publike, jep legjitimitet dhe inkurajon gjuhën e urrejtjes ndaj të gjithë atyre që kanë orientim seksual të ndryshëm dhe rrezikon lirinë e shprehjes. Deklarata e Kryeministrit, përfshirë “faljen” e papërshtatshme, përveç që është fyese dhe diskriminuese, nxit homofobi drejt komunitetit LGBT. Zbatimi i vazhdueshëm i Ligjit të ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi është vënë në pikëpyetje, dhe pyetja është nëse përpjekjet aktuale për të promovuar të drejtat e LGBTI janë me të vërtetë thelbësore apo janë thjesht deklaruese dhe formale”, thuhet në reagimin e 27 OJQ-ve.

Në të njëjtën kohë, ata paralajmërojnë se është e papranueshme “të bësh deklarata të tilla marrëzie për të etiketuar gazetarët që raportojnë në mënyrë kritike për punën e qeverisë aktuale, duke krijuar kështu kushte për të kufizuar lirinë e informacionit dhe shprehjes”.

“Ne insistojmë që qeveria dhe kryeministri të tregojnë pjekuri dhe shkathtësi në trajtimin e kritikave, por edhe të angazhohen seriozisht për të mbështetur mendimin kritik dhe gazetarinë e pavarur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e transparencës dhe përgjegjshmërisë që qeveria paraqet si një nga parimet themelore të punës së saj”, thuhet në reagimin e shoqërive civile.