Ali Ahmeti paraqitet si dëshmitar në Prokurorinë speciale

Kreu i BDI Ali Ahmeti i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Artan Grubi, në orën 14 ka arritur në Prokurorinë Speciale Publike, i cili është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

Para se të hyj, kreu i BDI-së nuk u prononcua për mediat.

Nga PSP deklaruan se Ahmeti është ftuar si dëshmitar, por në interes të procedurës para-hetimore nuk zbulojnë se për cilin rast bëhet fjalë.

“Personi është ftuar si dëshmitar. Për shkak të fshehtësisë së procedurës para- hetimore, për momentin nuk mundemi të tregojmë më shumë detaje” deklaroi për “Meta”, zëdhënësja e PSP-së, Lençe Ristovska, të martën.

Sipas mediave, Ahmeti është ftuar për bisedë në PSP për rastin “Kosmos”, që ishte pjesë e bombave të LSDM-së.

Në një pjesë prej tyre, siç publikoi në atë kohë kreu i LSDM-së Zaev mund të dëgjoheshin bisedat e ish kryeministrit dhe kreut aktual të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe ish ministri Mile Janakieski se si merren vesh për rrëzimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit Fiat Canoski.