Afrohet rekordi, qytetarët kanë dëgjuar apelet për dalje masovike

Deri më ora 17 në votim kanë dalë 60,38% nga votuesit në nivel të shtetit, njoftoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

“Në NJZ 1 kanë dalë 66,38% e votuesve, NJZ 2 kanë dalë 59,89% e votuesve, NJZ 3 kanë dalë 64,90 %, NJZ 4, 67,15 %, në NJZ 5 58,46 %, ndërsa në NJZ 6 46,82 % – deklaroi Çiçakovski.

Sipas këtyre shifrave, dalja e votuesve është e madhe gjegjësisht dy orë para mbylljes së vendvotimeve është arritur përqindja e daljes së përgjithshme nga zgjedhjet e mëparshme. Nëse vazhdon ky trend, që tani mund të thuhet se dalja afrohet afër rekordit në tre ciklet e fundit dhe se apelet për dalje masovike kanë dhënë frytin.

Për votim masovik gjatë fushatës bënin thirrje edhe krerët e partive si dhe komuniteti ndërkombëtare.

Në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të vitit 2014-të deri orën 17 kishte  53,24 % dalje, që është për 7,14% më pak se ky vit. Atëherë, dalje e përgjithshme ishte 54,38%.

Në vitin 2014-të, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale deri orën 17 dolën 45,68%.

Në vitin 2011-të deri orën 17 për votim dolën 53,86% nga votuesit e regjistruar ndërsa në vitin 2008-të 45,90%.