Në raportin e KE-së janë identifikuar rekomandimet e projektit ACTION SEE dhe të “Metamorfozis” për Strategjinë për transparencë

Komisioni Evropian (КE) në raportin e shkurtë të cilin e publikoi të hënën, rekomandoi Bashkimi Evorpian (BЕ) të nis negociata me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin, kurse ndër vërejtjet pozitive, KE-ja përmend që vendi ka ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit, e ka përmirësuar efektin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa ka arritur përparim edhe në reformat në shërbimet e zbulimit dhe në administratën publike, transmeton Meta.

Veçanërisht është theksuar edhe Strategjia për transparencë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, që ka qenë një nga pikat kryesore të reformës në administratën publike.

Strategjia është rezultat i rekomandimeve të cilat rezultojnë nga Indeksi i hapjes, kurse Fondacioni “Metamorfozis” ka dhënë kontribut të madh në krijimin e saj nëpërmjet projektit ACTION SEE, të financuar nga Bashkimi Evropian, bashkë me mbështetje financiare dhe eksperte nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

Në mini raportin e KE-së lëndë e skriningut plotësues kanë qenë reformat në gjyqësor, në sektorin e sigurisë dhe në administratën publike. Në lidhje me gjyqësorin, raporti i Komisionit Evropian vëren ritëm të përshpejtuar të implementimit të reformave.

Në favor të kësaj është edhe Ligji i ri për Prokurori Publike i cili për KE-në është garanci që do të sigurojë sundimin e të drejtës dhe që lëndët e PSP-së tërësisht do të përmbyllen me aktgjykime të plotfuqishme. Komisioni Evropian ka shënuar reforma pozitive edhe në sektorin e sigurisë dhe të inteligjencës ku theksohet ligji i ri, por edhe aktivizimi i Agjencisë Tekniko-Operative (ATO) dhe Agjencia për siguri nacionale (ASN). Në raport konstatohet që ekziston kapacitet i përforcuar mbikëqyrës mbi shërbimet, por edhe i Kuvendit ndaj sektorit të sigurisë. Në lidhje me reformat në administratën publike theksohen aktivitetet qeveritare për transparencë më të madhe të demonstruara me miratimin e Strategjisë për transparencë 2019-2021, por edhe me instalim të bazave të të dhënave për llogaridhënie më të madhe dhe përpjekjet për digjitalizim (e-portal) dhe lehtësim të qasjes së qytetarëve në shërbimet e institucioneve.