Problemi është se Mijallokvi guxon të arrestojë

Sasho Mijalkov i thotë Dragan Pavloviq- Latasit në audio- regjistrimin e bisedës telefonike:

“Çfarë të thash unë, se prej të hënën do të fillojë të arrestojë. Përfunduan zgjedhjet dhe nesër Dragan”.

Sasho Mijalkov i thotë Emil Stojmenovit:

“Unë premtova diçka, se prej të hënën do të arrestojë. Saktë prita që të përfundojë 5 qershori, fushata, të shohim kush është kush dhe prej datës 6 filloj me arrestime…Edhe atë, do të fillojë nga ai që është më i bukur për arrestim”.

Kjo, siç dëgjohet në regjistrim, me ton euforik, drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, ua thotë redaktorit të “Sitel”, Dragan Pavloviq- Latas dhe pronarit të “Kanal 5”, Emil Stojmenov, pas “arrestimit” të Lube Boshkovskit, një ditë pas zgjedhjeve të vitit 2011-të.

Këto biseda në suazat e “bombës” së tretë i publikoi lideri opozitarë, Zoran Zaev.

Kur përmendet arrestimi, zakonisht procedurë e tillë lidhet me policinë e jo me drejtorinë e sigurimit dhe kundër- zbulimit.

A ka të drejtë Mijalkov të arrestojë?

Profesori i fakultetit juridik “Justinian I” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”, Gordan Kallajxhiev, thotë se DSK ka autorizimet e policisë dhe se ky është një problem serioz, edhe krahas insistimit të opinionit profesionist dhe sektorit joqeveritarë, kompetentët gjegjësisht MPB-ja nuk e zgjidhin.

Përfshirja gjegjësisht autorizimet e DSK-së dhe Byrosë për siguri publike, dalin nga dispozitat e Ligjit për punë të brendshme dhe Ligji për polici, të cilat, edhe krahas ndryshimeve, asgjë me rëndësi nuk ndryshuan rreth kësaj çështje.

-Ligji për punë të brendshme nuk arriti që të zgjidh çështjen e rregullimit juridik të autorizimeve për anëtarët e DSK-së. Kjo materie është boshllëk juridik që nga miratimi i Kushtetutës së shtetit. Vendimi nga Ligji për polici, pjesëtarët e Drejtorisë së sigurimit dhe kundër- zbulimit të mund t’i zbatojnë autorizimet e policisë, është i paqartë dhe i papërpunuar, që krijon hapësirë për interpretim të lirë në praktikë (p.sh, a do të thotë kjo se DSK do të ketë njësi speciale të armatosura në përbërjen e saj?) DSK dhe BSJ me atë që janë organe të MPB-së, nuk do të thotë se kompetencat, autorizimet dhe lëndën e punës mund ta ndërmarrin varësisht nga rasti konkret, por se kjo duhet të vërtetohet me vendime të sakta ligjore, të bazuara në Kushtetutë- thotë Kallajxhiev.

Sipas Kallajxhiev, që moti është dashur reformë në shërbimet për siguri, por ajo edhe më tej ngel tabu.

-Tek ne zhvillohet debat i “qetë” ndonjëherë i pazhvilluar lidhur me reformën në shërbimet e sigurimit. Pak si perverse, shumë më shumë kohë dhe energji Maqedonia harxhoi në proceset e lustrimit të bashkëpunëtorëve të ish regjimit, të cilët niseshin nga ajo se është notor fakti se shërbimet e sigurimit nga sistemi i vjetër kanë funksionuar si polici sekrete partiake dhe kanë qenë një ndër shkelësit më të mëdhenj të së drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, shumë pak punohej në vendosjen e modelit të ri në shërbim që do të ishte servis i shoqërisë demokratike dhe që do të funksionojë në pajtueshmëri me parimet e shtetit juridik- thotë Kallajxhiev.

Nga kjo paraqitet edhe një problem tjetër, konsideron Kallajxhiev sepse DSK është e përfshirë edhe në ligjin e ri për procedurë penale, në “policinë gjyqësore” që përbëhet nga të gjitha organet që kanë autorizime për zbulimin dhe denoncimin e veprave penale, në pjesën e zbulimit të formave më të rënda të krimit të organizuar.

-Është e sigurt se shërbimi që nga paraqitja e tij e deri më sot funksionin si “shtet në shtet” nuk do t’i nënshtrohet me lehtësi institucionit siç është prokurori publik- konsideron profesori.

Deputeti dhe ish ministri i punëve të brendshme, Pavle Trajanov në këtë temë thotë se edhe policia edhe DSK i kanë të njëjtat autorizime.

-Fjala “aps”, “arrestim” është turqisht gjegjësisht nga “apsane” që do të thotë burg. Tek ne thuhet paraburgim. Dhe policia është ajo që mund të arrestoj dikë dhe ta mbaj maksimum 24 orë. Pas arrestimit, policia patjetër duhet menjëherë të njoftoj gjykatën dhe prokurorin publik të cilët janë kompetent për procedurën e mëtutjeshme. Ndërsa arrestin e përcakton gjykatësi me procedurë paraprake me kërkesë të prokurorit publik- thotë Trajanov.

Në ligjin e ri për procedurë penale, i miratuar në vitin 2010-të, krahas “arrestit” është miratuar edhe nocioni “privim nga liria”.

Për arrestin, sipas Ligjit për procedurë penale dhe Ligjit për polici, patjetër duhet të ketë urdhër nga gjykata ndërsa për privim nga liria nuk është patjetër.

Faktikisht, privimi nga liria është ajo që më herët ishte arresti pa urdhër nga gjyqi, në rast kur dikush është kapur duke kryer vepër penale, e cila ndiqet me detyrë zyrtare dhe menjëherë pas veprës.

-Arresti është privim nga liria- thotë Trajanov.

Me Ligjin e ri për procedurë penale, parashihen dy situata për privimin e dikujt nga liria pa urdhër nga gjyqi, edhe atë, privim nga liria nga secili dhe privim nga liria nga policia gjyqësore.

Mbajtja e personit të privuar nga liria mund të zgjat maksimum 24 orë.