Janakieski: “Kosmos”, u rrënua sipas ligjit

Audio- regjistrimet  që dje u prezantuan në opinion paraqesin një proces të montuar të shërbimeve të huaja, të cilat Zoran Zaevi i përdor për qëllimet e veta, respektivisht qëllimi i tij është të vijë në pushtet me çdo çmim, vlerësoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski.

I pyetur për koment për incizimet që dje i publikoi lideri i opozitës Zaev ku është i involvuar Janakieski, pas ndarjes së vendimit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje në komunën Kisella Vodës, ai tha se Zaev ka një qëllim të vetëm, të krijojë frikë tek qytetarët.

“Zaevi me ekipin e vet jo vetëm që duan në mënyrë jolegjitime të vijnë në pushtet, por edhe vet merr anën e defanzivës, i shërben shërbimeve të huaja të cilët kanë përgjuar në Republikën e Maqedonisë. Është turp dhe për të ardhur keq që LSDM-ja çdo herë vendoset në pozitën e mbrojtjes të atyre që e shkelin ligjin dhe kjo nuk është hera e parë”, tha Janakieski.

Lidhur me rastin Kosmos, i cili dje u prezantua, ai theksoi se tërësisht është vepruar në pajtim me ligjin.