Han në fillim do t’i “thyej” liderët veç e veç e pastaj në grup

Liderët e katër partive politike më të mëdha në Republikën e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, (VMRO-­DPMNE), Zoran Zaev (LSDM), Ali Ahmeti (BDI) dhe Menduh Thaçi (PDSH), sot do të kenë rreth pesë orë e gjysmë kohë, të cilën eurokomisari për negociata dhe zgjerim Johanes Han, do ta ndajë për ta me qëllim që të arrihet marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Derisa nga ana e BE­së, krahas komisarit Han, pritet të marrë pjesë vetëm raportuesi për Maqedoninë nga Parlamenti Evropian, Ivo Vajgëll. Sipas informatave të Qeverisë joformale të BE­së, së pari janë parashikuar 45 minuta takime të ndara të komisarit Han me Zaev dhe delegacionin e tij në të cilin janë edhe Renata Deskoska-Trenevska dhe Radmilla Shekerinska (të parashikuara për në orën 11:00), si dhe me kryeministrin Gruevski, i cili vjen me Martin Protogjer, Nikolla Poposkin dhe Nikolla Todorov, ndërsa është parashikuar të mbajë takim bilateral me komisarin në orën 12:15 minuta.

Pas “takimeve bilaterale” me Zaevin dhe Gruevskin, rreth orës 13:00 pritet katërshja e liderëve politikë nga Maqedonia, plus Han dhe Vajgëll të ulen në tryezë të përbashkët dhe të dakordohen për t’i vënë fund krizës politike. Ajo që është e sigurtë është se Han ka kohë për marrëveshje, deri në orën 17:30­-18:00, sepse më vonë ka aktivitete të tjera. Kjo do të thotë se eurokomisari për negociata për zgjerim ka ndarë pesë orë e gjysmë për marrëveshje, e cila pritet sot të jetë përfundimtare.