“Bomba” e Manastirit godet lustrimi, shantazhet dhe votimet

Kryetari i organizatës komunale të LSDM-së në Manastir, Vasko Kovaçevski sot mbajti konferencë shtypi ku publikoi biseda të përgjuara për qytetin. Në fillim publikoi bisedë tanimë të dëgjuara mes Gordana Jankullovskës dhe Zoran Stavrevskit, ku ata komentojnë për kryetarin Vladimir Taleski. Ata gjithashtu bisedojnë për marrëveshje të lidhur me kompaninë “Transkop” e cila sipas Stavrevskit është “e korruptuar deri në zgrip”.  Ai thotë se çmimet e kontraktuara janë më të larta deri 10 herë sesa ato aktuale që vlejnë mes transportuesve privat dhe kontratave të tyre.

Në bisedën mes Mile Janakievskit dhe Zoran Ilioskit dëgjohet se si ata flasin për rejtingun e ulët të kryetarit të komunës. Ilioski thotë se kjo është “diçka e tmerrshme”. Ai i thotë se para 2 muajve ka qenë në 48 e tani ka rënë në 35%.

Janakieski e pyet se “çfarë ka bërë Vlado këto dy muaj”.

Vladimir Taleski dhe Vlatko Mijalkov bisedojnë për atë se si të largohen anash njerëz nga tabori i kundërt. Taleski i thotë se “Kire Katanga shfrytëzon rrëmujë” e flasin për Efton, që është udhëheqës i grupit të tifozëve “Çkembari”.  Taleski i thotë se ai “nga Vlatko Çingo merr 3.500.000, nga Cile merr para, në Manastir iu bën shantazh këshilltarëve që t’i japin para nga komuna ndërsa ankohet se hendbollistët nuk kanë rrogë”. Taleski i thotë se i durojnë shumë ndërsa bëjnë shumë zhurmë.

Në një bisedë tjetër Mile Janakieski dhe Vladimir Taleski flasin për kompaninë “Mardi” e cila kinse po shkakton probleme në Radovish. Taleski i tregon se ka probleme me pronarin sepse ai iu ka bërë shantazh për qarkoren. I tregon se patjetër e kanë pasur të hynë në tokën nga “Javor” ndërsa ai e ka blerë “Javor-in”. Taleski i shpjegon se më vonë janë paditur dhe se ka humbur kontestin gjyqësorë.

Në bisedën mes Vlatko Çingoskit dhe Siljan Micevskit, ata merren vesh për disa njerëz që punojnë tek ta dhe nuk janë të sigurt për votime. Siljan i thotë se “nëse ka nevojë, do ta largoj nga puna”.

Vlatko Çignoski dhe Martin Protugjer bisedojnë për punësimin e 12 personave, prej të cilëve 9 Çingoski i ka zgjedhur, por se nuk kanë qenë “me rekomandim nga partia”. Çingoski thotë se ata janë në vend kyçe dhe shton se dy duhet të punojnë për program atomike. Martin i shpjegon se “Gordana tani do t’i dorëzoj listë të gjatë”.

Në bisedën mes Gordana Jankullovskës dhe Nikolla Gruevskit për lustrimin, Gruevski e pyet nëse ka kaluar “konkluzioni i Tome Axhiev”. Jankullovska i thotë se “do ta kalojnë” në seancën e radhës. Edhe biseda e radhës mes Antonio Milloshoskit dhe Tome Axhievit është për lustrimin e një personi ndërsa bashkëbiseduesit merren vesh si t’i rregullojnë dokumentet.