Dy vite pa Mlladenovin: U largua pa na treguar pse

Para dy viteve të plota, më 27 mars të vitit 2013, në një hendek tek unaza në Hipodrom u gjet trupi i pajetë i gazetarit dhe pronarit të javores “Fokus”, Nikolla Mlladenov dhe makina e tij me të cilën ka dalë nga rruga Shkup- Veles.

Ngjarja shkaktoi shok dhe reagime të shumtë në radhët e gazetarëve dhe opinionit pranverën e zgjedhjeve, që sot e kësaj dite nuk kanë të ndalur sepse shumë pyetje lidhur me vdekjen e rapsodit të gazetarisë maqedonase ngelën pa u sqaruar.

Rasti u mbyll, më saktë i vendosur vetëm si fatkeqësi trafiku. Por, opinioni nuk e kuptoi se çfarë ka bërë Mlladenov atë natë, ku ka qenë, a është takuar me dikë dhe ajo që la gjurmë për dyshim dhe spekulime të pakonfirmuara, ku është telefoni i tij celular dhe pse nuk është gjetur asnjëherë.

Gjykata penale dhe Prokuroria kryen dy analiza në vendngjarje, i dyti për shkak të presioneve nga opinioni.

Disa muaj pas fatkeqësisë, më saktë në 10 korrik të vitit 2013, në konferencë zyrtare për shtyp, ku morri pjesë edhe prokurori publik shtetërorë Marko Zvrlevski, njeriu i parë i prokurorisë publike në Shkup, Gordana Geshkovska dhe ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, vdekja ishte shpallur si rast fatkeqësie dhe u njoftuan se nuk ka dëshmi që tregojnë se fatkeqësia në të cilën pësoi Mlladenov është rezultat i veprës së kryer penale.

Sipas Prokurorisë, arsye për fatkeqësinë ka qenë “sjellja joadekuate” gjegjësisht rezultati i mjekëve ligjor ka treguar “lëvizje nëpër trajektore joadekuate me shpejtësi prej 142 km në orë” në momentin kur Mlladenov është afruar tek unaza në Hipodrom.

Megjithatë, misteri për telefonin celular të Mlladenov ngeli i paqartësuar. Prokuroria njoftoi se telefoni celular nuk është gjetur. Nuk u konfirmua as koha e saktë kur ka ndodhur vdekja.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në konferencën e shtypit lidhur me bisedat e përgjuar të gazetarëve, njoftoi se nga materialet që i posedon del se pjesëtari më i përgjuar i fuqisë së shtatë në shtet ka qenë pikërisht Nikolla Mlladenov.

Dosjen me materiale Zaev ia dorëzoi familjes së tij.

Ai paralajmëroi se në regjistrimet që i posedon ka biseda për vdekjen e Mlladenovit, që siç tha, do të publikohen.

Kur humbi jetën, Nikolla Mlladenov kishte 49 vite.

Ai është i lindur më 10 mars të vitit 1964 në Shkup.

Në moshë të re është marrë me aktrim ndërsa kah mesi i vitit 1980 është punësuar në gazetën “Mlad Borec”, ku është bërë një prej liderëve të proceseve demokratike në RS Maqedoninë e asaj kohe. Pas “Mlad Borec” ai themeloi radion “Libertas”.

Në vitin 1995, Mlladenov themeloi gazetën “Fokus”, gazeta e parë e lirë dhe e pavarur në Maqedoni nën moton “Javore e armikut të brendshëm, por edhe të atij të jashtëm”.

Ngel të mbahet mend maksima e Mlladenovit, e cila pasqyron angazhimin e tij gazetaresk dhe qëndrimin kritik dhe pa kompromis ndaj pushtetit, çdo pushtet që ka qenë në krye të shtetit prej pavarësisë: “Ne duam shoqëri të njerëzve të lirë, që ofron mundësi të barabartë për të gjithë, ata duan përmbledhje të pa-kurrizorëve, të cilët ia dalin falë dëgjueshmërisë qorre të fisit partiak. Dhe këtu- nuk ka kompromis” (16 nëntor, viti 2011).

Edhe pas vdekjes së tij, me ndërprerje të vogël, javorja “Fokus” vazhdon të botohet.