Vajgëll: Situata në Maqedoni shumë serioze, duhet t’i ndihmohet

Afera e përgjimeve në Maqedoni vazhdon të tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” e titullon shkrimin kushtuar zhvillimeve të fundit në vend si “Shqetësimet për demokracinë e brishtë të Maqedonisë e cila gjendet në mes padive për “Puç” dhe “përgjime”. Gazeta raporton se Maqedonia e cila është vend kandidat për anëtarësim në BE, ballafaqohet me një krizë të përshkallëzuar politike, për shkak të pretendimeve për ‘Puç’ nga njëra anë dhe skandalit të përgjimeve masive nga ana tjetër, si dhe pohimeve se qeveria dhe shërbimi sekret kanë minuar punën e gjykatave dhe mediave. “The Gruadian” raporton edhe mbi “bombën” e djeshme të Zaevit që kishte të bënte mbi ndërhyrjen e Qeverisë në planet urbanistike, por edhe ato mbi ndërhyrjen e pushtetit në punën e gjykatave dhe mediave. Nga ana tjetër raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë Ivo Vajgëll, në një deklaratë për këtë gazetë, e cilësonte situatën në vend si “shumë serioze”.

“Nuk dua të parashikoj skenarë katastrofikë por duhet të keni parasysh se bëhet fjalë për një sërë problemesh të hapura u përdorën fjalë të vrazhda dhe madje fjalor urrejtjeje. Ne i kemi parë skenarëtë tillë edhe më herët në Ballkan, gjithçka fillon pikërisht në këtë mënyrë. Situata nuk duhet të nënvlerësohet. Është shumë serioze dhe ne duhet ta ndihmojmë Maqedoninë”, ka theksuar Vajgëll për “Guardian”.