Sekretari amerikan i mbrojtjes nuk u vra nga raketat ruse në Kiev

Lajmi se Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u vra në Kiev më 3 janar është i pafaktuar. Sipas Departamentit të Mbrojtjes, Austin ka qenë i shtruar në spital nga data 1 deri më 15 janar, duke u shëruar pas komplikacioneve që pësoi pas një operacioni.

———————-

Në rrathët konspiracionistë po qarkullon lajmi se “Sekretari i Mbrojtjes së SHBAve Lloyd Austin dyshohet se u vra në Kiev më 3 janar, kur raketat ruse u hodhën në një bunker komandues ku Austin dhe gjeneral-lejtnant Valerii Zaluzhnyi, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, u takuan fshehurazi.”

Si zakonisht, ky lajm nuk shoqërohet me asnjë burim apo provë.

Me anë të një kërkimi me fjalë kyçe, Faktoje zbuloi se ky lajm duket se është shfaqur për herë të parë në faqen online Real Raw News më 7 janar 2024.

Një zëdhënës nga Pentagoni tha për Reuters se ky raportim është i pasaktë.

Në të vërtetë, Austin iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike për tumor në prostatë në Maryland, ShBA, më 22 dhjetor 2023. Më 1 janar 2024, ai u shtrua sërish në spital si pasojë e komplikacioneve pas operacionit.

Austin qëndroi në spital nga 1 janari deri më 15 janar. Departamenti amerikan i Mbrojtjes deklaroi se Austin po punonte nga shtëpia ndërsa shërohej.

Artikulli i Real Raw News gjithashtu pretendon se Austin ka qenë në Ukrainë nga Nëntori 2023 deri në ‘vrasjen’ e tij më 3 janar.

Sipas një njoftimi për shtyp të Departamentit të Mbrojtjes, Austin ishte vërtet në Ukrainë në Nëntor, kur u takua me zyrtarë ukrainas, përfshi edhe presidentin Zelensky.

Megjithatë, në 22 nëntor 2023, ai ishte kthyer në ShBA. Gjatë një mbledhjeje virtuale të Pentagonit, ai dëgjohet të thotë“Sapo u ktheva nga Kievi.”

Në Dhjetor 2023, Austin u shfaq dhe fotografua në një numër eventesh, përfshi një fjalim që ai mbajti në Forumin e Mbrojtjes Kombëtare në Kaliforni, dhe prezencës në një ndeshje futbolli amerikan në Massachussets.

Po në Dhjetor, Austin udhëtoi drejt Lindjes së Mesme për të vizituar Izraelin, Bahrain dhe Katarin, sipas një postimi të llogarisë së tij në Twitter.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme të rreme që burojnë nga faqja Real Raw News, e cila deklaron në vetë-përshkrimin e saj, që “përmban humor, parodi, dhe satirë.”