LSDM fitoi në Tearcë, mandatet e partive ngelin të njëjta

Edhe krahas rivotimit të djeshëm në Tearcë, mandatet e partive politike ngelin të njëjta me ato të 11 dhjetorit.

VMRO DPMNE ka 51 deputetë, LSDM 49, BDI 10, Bea 5, Aleanca për shqiptarët 3 dhe PDSH 2 mandate.

Sipas rezultateve zyrtare të KSHZ-së, në rivotim në Tearcë, LSDM ka 245 vota, VMRO DPMNE 149, VMRO për Maqedoni 2, BDI 1, PDSH 2, Aleanca për shqiptarët 1 ndërsa 3 fletëvotime janë të pavlefshme.

Megjithatë, edhe krahas fitores së LSDM-së në këtë vendvotim, votat nuk mjaftonin që të ketë kthesë në mandate.

Pas votimit të 11 dhjetorit në NJZ 6, diferenca mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së ishte 307 vota përparësi për VMRO DPMNE-në, diferencë që LSDM nuk ia doli ta arrijë në rivotim në Tearcë.

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit në vendvotimin 2011 në Tearcë në votim dolën 404 persona nga gjithsej 714. Prej tyre, 91 votuan për VMRO DPMNE-në, 87 për LSDM-në, 65 për Besën, 64 për PDSH-në, 53 për BDI-në, 25 për Aleancën për shqiptarë dhe nga një për VMRO për Maqedoninë dhe Koalicionin për ndryshime dhe drejtësi Blloku i tretë.