Ballkani (jo dhe aq) i hapur

Ndërkohë që Bashkimi Europian po shtyn përpara Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, fantazma e vjetër e “Ballkanit të Hapur” rikthehet në rajon. I vetmi që flet në kohën e tashme për iniciativën është presidenti serb Aleksandar Vuçiç që duket se ia ka dalë të marrë vëmendjen e mediave me narrativën e tij për “rëndësinë e madhe” që kjo nismë ka për Ballkanin Perëndimor.  E gjitha, ka përhapur konfuzion mbi atë çka ka mbetur nga kjo nismë dhe çfarë ajo përfaqëson.

Jona Plumbi

Disa e konsideruan të përfunduar nismën “Ballkani i Hapur” kur Lavrov i dha ‘puthjen e vdekjes’ në qershor 2022 teksa shprehu mbështetjen e Rusisë për këtë nismë. Kryeministri Rama, i cili për këtë koment e quajti Lavrovin një “peshkaqen diplomacie”, një vit më vonë e shpalli të përmbushur qëllimin e “Ballkanit të Hapur”. Nga ai moment, pavarësisht deklaratave të ndryshme, nuk u njoftua asnjë takim i ri mes 3 vendeve pjesëmarrëse në nismë.

Por deklaratat kontradiktore të liderëve të shteteve anëtare në nismën “Ballkani i Hapur” lidhur me vijueshmërinë e saj kanë përhapur dezinformim në media. Takimi më i fundit mes udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian u kthye në arenën e përplasjes së qasjeve të ndryshme ndaj nismës gjysmake me të cilën nuk u pajtua asnjëherë Kosova, por edhe fqinjët e tjerë të rajonit që e refuzuan këtë nismë.

Në një anë, është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili prej 1 korrikut 2023 e quan “të përmbushur” misionin e nismës Ballkani i Hapur. Këtë linjë ruajti Rama në 22 janar 2024 në Shkup kur foli për Ballkanin e Hapur në kohën e shkuar, gjatë konferencës “Ballkani Perëndimor takon BE-në – Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”.

“[…] Kjo është arsyeja pse ne filluam edhe Open Balkan. Ishte një lloj objektivi për politikën ditore. Një objektiv për lojërat e pushtetit, jo vetëm brenda rajonit, por edhe në Evropë. Por në fakt, çfarë bëmë? Ne u përpoqëm të shtynim një axhendë marrëveshjesh që është pjesë e këtij plani të rritjes dhe tregut të vetëm. Kjo është.” – Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, 22 Janar 2024.

Në anën tjetër të së njëjtës tavolinë, presidenti i serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili e ka refuzuar mbylljen e iniciativës “Ballkani i Hapur” që në krye të herës, vijon të këmbëngulë tek rëndësia e kësaj nisme për rajonin, duke iu referuar asaj si diçka që vijon të ekzistojë.

Mendoj se lidhshmëria e rajoneve, siç e bëmë me iniciativën e Ballkanit të Hapur me lejet e lëvizjes së lirë, nëse do e nënshkruajmë këtë protokoll do jetë përfitim i madh për të gjithë qytetarët në të tre shtetet, është ajo që duhet dhe mund ta bëjmë.” – Alexandar Vuçiç, President i Serbisë,22 Janar 2024.

Samit i Ballkanit të Hapur apo Samit i Ballkanit Perëndimor me BE-në?

Protokollet që referoi Vuçiç gjatë tryezës “Ballkani Perëndimor takon BE-në”, janë arsyeja që solli konfuzion. Shumë media në rajon ngatërruan Planin e Rritjes së BE-së, me dy protokolle zbatimi të firmosura nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut pas marrëveshjeve të arritura në vitin 2021 në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

Disa media në Serbi, takimin e 22 janarit e quajtën si samit të “Ballkanit të Hapur”. Sipas mediave serbe, njoftimi për pjesëmarrjen në këtë samit u është shpërndarë nga zyra e medias e presidentit Vuçiç. Lajmi për një samit të “Open Balkan” u riprodhua edhe në maqedonisht.

*lajmi në median maqedonase

Konfuzioni u thellua më shumë me tituj të lajmeve në Serbi ku fondi prej 6 miliardë eurosh i Planit të Rritjes së BE-së u ndërthur me dy protokollet e firmosura mes tre shteteve të rajonit (Shqipëri – Serbi – Maqedoni e Veriut).

Kështu, media B29 raportoi se gjatë konferencës për shtyp pas takimit në Shkup, Vuçiç, i cili lejoi vetëm mediat serbe të ndiqnin fjalën e tij, ka lënë të kuptohet se dy protokollet e firmosura mes tre shteteve të sipërpërmendura, lidhen disi me Planin e Rritjes së BE-së.

Titulli i lajmit ‘Vuçic: “Po firmosim dy protokolle”; 6 miliardë euro mbi tavolinë’ në vetvete lë të kuptohet se dy ngjarjet lidhen me njëra-tjetrën. Në vijim lajmi citon konferencën e presidentit Vuçiç.

Folëm për tregun e përbashkët Europian, pra për linjat e gjelbra që kamionët tanë të kalojnë lirisht në kufijtë e Bashkimit Europian…Në ditët në vijim ne do të firmosim dy protokolle që janë të rëndësishme dhe kanë të bëjnë me aksesin e lirë ndaj krahut të punës. Pika e dytë e konferencës së Planit të Rritjes së BE-së, është ajo që duhet të bëjmë për të marrë paratë. Ne prezantuam planin tonë të rritjes dhe ai përputhet me agjendën e tyre.” – citohet të ketë thënë Vuçiç.

Për rëndësinë e firmosjes së dy protokolleve të sipërpërmendura Vuçiç publikoi në rrjetin social një video të fjalimit të tij duke shkruar se ky është një “progres dhe zhvillim për të gjithë rajonin”.

Lajmi për mbajtjen e një samiti të “Ballkanit të Hapur” nuk depërtoi dhe aq në mediat shqiptare, si duket për shkak të mungesës së plotë të një njoftimi nga ana e qeverisë shqiptare për këtë takim të aluduar, gjë që nuk ka munguar asnjëherë në rastet e samiteve të “Ballkanit të Hapur”.

Megjithatë, disa syresh ranë pre e narrativës së Vuçiç duke njoftuar “rikthimin e Ballkanit të Hapur”.Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, dje nga Shkupi ka bërë të ditur se nisma “Ballkani i Hapur” vazhdon ende. Ndaj edhe dje u firmosën edhe dy protokolle në mes të tri shteteve anëtare, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. – shkruan Ballkanweb.

Çfarë protokollesh u firmosën në Shkup?

Dokumentat e firmosur mes Edi Ramës, Dimitar Kovaçevskit dhe Aleksandar Vuçiç në Shkup janë dy protokolle për zbatimin e dy marrëveshjeve që janë lidhur 3 vjet më parë ne samitin e Open Balkan.

Kjo do të thotë se protokollet janë produkt i samitit të “Open Balkan” të vitit 2021 dhe jo një marrëveshje e re e arritur rishtas mes tre vendeve. Sipas deklaratave publike të tre firmëtarëve, protokolli mundëson që prej 1 Marsit 2024 qytetarët e tre shteteve pjesëmarrëse (Shqipëri – Serbi – Maqedoni e Veriut) mund të kërkojnë punë në secilin prej këtyre vendeve pa pasur nevojë për vizë pune. Marrëveshja e dytë ka të bëjë me identifikimin elektronik të qytetarëve në tre vendet respektive.

Të dyja, siç ka raportuar më herët Faktoje, janë pjesë e marrëveshjeve së dhjetorit 2021 të nënshkuar në kuadër Open Balkan, por që nuk gjetën zbatim.

Faktoje kërkoi nga Kryeministria shqiptare të njihet me përmbajtjen e plotë të këtyre protokolleve të zbatimit por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Por, ndërsa tre shtetet pjesëmarrëse në marrëveshje përfitojnë nga zbatimi i mundshëm i saj, fakt mbetet se ajo përfshin vetëm tre nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për rrjedhojë nuk përfaqëson të gjithë rajonin.

Pikërisht pjesmarrja e cunguar e shteteve të rajonit në nismën e “Ballkanit të Hapur” ishte kritika e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero asokohe theksonte rëndësinë e përfshirjes së të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor si thelbin e ecjes përpara në integrimin europian të rajonit. Të njëjtën gjë theksonte edhe Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor kur deklaronte se “Pa të gjashtë vendet kjo nismë nuk mund të ketë sukses”.

Çfarë është Plani i Rritjes së Bashkimit Europian?

Në nëntor 2023, Komisioni Evropian prezantoi një Plan Rritjeje për Ballkanin Perëndimor për të përmirësuar integrimin ekonomik me tregun e vetëm të BE-së, për të nxitur integrimin ekonomik rajonal, për të përshpejtuar reformat themelore dhe për të rritur ndihmën financiare.

Ky plani i ri për vendet e Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla.

  1. Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun e përbashkët të BE-së”. Kjo varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut të vetëm dhe njëkohësisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës ndaj vendeve fqinje.
  2. Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.
  3. Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave themelore”. Kjo përfshin gjithashtu sundimin e ligjit, i cili ndihmon në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit është “rritja e ndihmës financiare për të mbështetur reformat”. Këtu përfshihet propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Përfundim

Edhe pse samiti i fundit i “Ballkanit të Hapur” ka qenë ai i shtatorit 2022 në Beograd, deklaratat kontradiktore të kryeministrit Rama me vetveten, por edhe ato të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç për nismën e “Ballkanit të Hapur”, vijojnë të krijojnë dezinformim, veçanërisht në mediat online.

Rasti i fundit, ai i takimit mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian tregoi edhe njëherë se përhapja e narrativave të pavërteta në rajon ndihmohet nga mungesa e transparencës qeveritare, por edhe nga gazetaria “copy-paste”.

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli