Partitë shqipe do të formojnë trup për Ligjin e përdorimit të gjuhëve

Partitë politike parlamentare shqiptare në afat prej tre ditëve do të formojnë Trup që do të përpiloj rregullore për funksionimin e partive politike shqiptare dhe do të përgatit propozim- ligj për përdorimin e gjuhëve që do t’i përmbush nevojat e shqiptarëve.

Këto janë dy konkluzionet që i kanë miratuar partitë politike shqiptare sot në takimin në hotelin “Arka”, njoftoi kreu u Lëvizjes për Reforma në PDSH, Zijadin Sela.

“Në këtë takim u bisedua për Deklaratën e përbashkët. Nga ky takim dolëm me dy konkluza. E para është që partitë politike nënshkruese të Deklaratës obligohen që në afat prej tre ditësh të emërojnë nga dy anëtarë të komisionit të cilët do të merren me krijimin e rregullores, pra me atë se si do të funksionojë në të ardhmen tryeza e partive politike parlamentare, ndërkaq e dyta ka qenë  harmonizimi i qëndrimeve rreth ligjit, të cilin ne e kemi përgatitur dhe që do t’i përmbush nevojat e shqiptarëve”, tha Sela.

Ai përsëriti se nënshkrimet e deputetëve të Aleancës për shqiptarët për marrjen e mandatit do t’ia japin LSDM-së, por kjo s’do të thotë se ato do të jenë nënshkrime për formimin e Qeverisë.

Duke folur për paqen, ai tha se partitë maqedonase dhe maqedonasit janë ato që publikisht janë kërcënuar dhe kanë penguar paqen dhe stabilitetin e vendit.

Në takim, përveç Selës, morën pjesën edhe lideri i Unitetit, Gëzim Ostreni, kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Artan Grubi.

Ali Ahmeti u largua pa u prononcuar për gazetarët.

Kreu i Besës, Bilall Kasami nuk mori pjesë në takim ndërsa partia përmes njoftimit theksoi se “nuk sheh kurrfarë obligimi që të merr pjesë në takime të tilla që s’janë në frymën e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni”.