Avokatët e Zaevit kërkojnë largimin e prokurorit për rastin “Ryshfeti”

Gjykimi për rastin “Ryshfeti” nuk ka filluar pasi avokatët e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev kërkuan largimin e prokurorit publik Vladimir Milloshevski sepse kundër tij PSP zhvillon hetim për disa vepra penale.

Siç thekson njëri prej avokatëve të Zaevit, Jakim Naumov, prokurori publik Milloshevski është pjesë e bashkimit kriminel në lidhje me regjistrimet e publikuara në Youtube nga masat e posaçme hetimore me të cilat, siç tha, Zaevi ka qenë i gjykuar mediatik para tërë opinionit.

Sipas palës mbrojtëse, Milloshevski ngarkohet me keqpërdorimin e masave- PI, për mosdorëzimin e shkresave për masat e marra PI deri në mbrojtje, e cila disa herë i ka kërkuar dokumentet.

Pranë Këshillit, me të cilin kryeson gjykatësja  Dijana Gruevska- Ilievska, fjalim kishte edhe i akuzuari Zoran Zaev, i cili po ashtu tha se ka tregues serioz se prokurori Milloshevski është involvuar në bashkim kriminel dhe se e keqpërdor Prokurorinë publike për motive politike.

Ndryshe, siç përmendet nga avokatët mbrojtës, të dyshuar në hetimin e PSP-së janë edhe Nikolla Gruevski, Sasho Mijalkov, Dragan Pavloviq- Latas dhe persona tjerë.

Gjykatësja Gruevska- Ilievska dha pauzë prej 2 orëve që të mundet Prokuroria publike për krim të organizuar të prononcohet lidhur me kërkesën e avokatëve për largimin e prokurorit.