fbpx

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi nuk i thyen sanksionet kundër Rusisë

-

Një artikull i publikuar në gazetën e Malit të Zi “Pobjeda” në 16 Dhjetor 2022, ngre akuza kundër shtetit shqiptar, atij serb dhe malazez për shkelje të sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian kundër Rusisë, pas nisjes së luftës me Ukrainën në Shkurt 2022. Akuzat u përsëritën nga përfaqësues të opozitës shqiptare duke sjellë shpërndarje më të gjerë të informacionit. Faktoje verifikoi dhe zbuloi se artikulli i gazetës malazeze bazohet mbi një premisë të gënjeshtërt, ndërsa vetë argumentimi i shkeljes së sanksioneve, i pafaktuar.

Jona Plumbi

Beogradi dhe Tirana përdorën territorin e Malit të Zi pavarësisht sanksioneve që Podgorica i ka vendosur Rusisë.” Ky është titulli i artikullit ekskluziv të gazetës malazeze Pobjeda, e cila akuzon tre vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, për shkleje të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke lejuar transportin e fertilizatorëve artificialë  (plehrave kimike) nga Rusia në Serbi.

*artikulli i publikuar nga gazeta malazeze
*artikulli i publikuar nga gazeta malazeze

Pretendimi i ngritur

Sipas gazetës malazeze, për më shumë se një vit, sasi shumë të mëdha të fertilizatorëve artificialë që vinin nga Rusia, hynin në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, për të kaluar përmes Malit të Zi për në Serbi. Në anën tjetër, Serbia eksportonte drejt Rusisë kamionë me grurë. Gazeta citon “disa burime” të saj nga sektori i sigurisë dhe nga drejtoria e doganave për këtë tregti të cilën e quan “të jashtligjshme”.

Si provë për paligjshmërinë që po kryhej, gazeta ofron pretendimin se pasi qeveria e malit të Zi adoptoi sanksionet ndaj Rusisë më 8 Prill 2022, një grup njerëzish nga Rusia, Shqipëria dhe Serbia – pronarë të kompanive pranë autoriteteve të këtyre tre shteteve – u munduan të fshihnin vendin e origjinës së kësaj tregtie.

*pjesë nga artikulli i gazetës malazeze
*pjesë nga artikulli i gazetës malazeze

Burimet e gazetës tonë nuk mund të specifikonin sa ton fertilizator u transportuan nga Rusia përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, drejt Serbisë, por janë kategorikë për faktin se shkelja e sanksioneve zgjati për muaj të tërë. Sipas këtij informacioni, prej muajit Prill, kur Mali i Zi adoptoi sanksionet, e deri më tani , rreth 4,500 kamionë kanë ndjekur këtë itinerar.” – shkruan gazeta.

Informacioni “copy-paste” mori jehonë në Shqipëri

Lajmi i gazetës malazeze u rishpërnda edhe në median online shqiptare, si dhe mori vëmendjen e partisë më të madhe opozitare në vend, e cila i dha zë “problemit” pa verifikuar më parë faktet.

*imazh nga deklarata e PD bazuar mbi lajmin e gazetës malazeze
*imazh nga deklarata e PD bazuar mbi lajmin e gazetës malazeze

Pas kësaj deklarate, shkalla e përhapjes së lajmit të gazetës malazeze u shumëfishua nga mediat, trandicionale dhe ato online, që përsëritën pretendimin e deputetit Flamur Noka, pa u thelluar mbi vërtetësinë e tij dhe e shpërndanë për ndjekësit e tyre në televizion, faqe në rrjet apo rrjete sociale.

* lajmi i publikuar në një nga mediat më të ndjekura në vend
* lajmi i publikuar në një nga mediat më të ndjekura në vend
*të dhëna mbi ndjekësit dhe reagimet ndaj postimit të lajmit në rrjetin social facebook
*të dhëna mbi ndjekësit dhe reagimet ndaj postimit të lajmit në rrjetin social facebook

Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë

Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Rusisë, pas nisjes së agresionit në Ukrainë në Shkurt 2022, nuk bllokojnë eksportet dhe transaksionet që lidhen me ushqimet dhe produktet agrikulturore.

Sanksionet e BE-së përjashtojnë në mënyrë eksplicite furnizimet ushqimore dhe fertilizuesit: nuk ka sanksione për eksportet ruse të ushqimit në tregjet globale. Çdokush mund të operojë, të blejë, të transportojë, të sigurojë ushqim dhe fertilizues që dalin nga Rusia.” – shkruhet në faqen zyrtare të Këshillit Europian ku shpjegohen pikërisht sanksionet që BE-ja i ka vënë Rusisë prej nisjes së luftës.

*faksimile e faqes zyrtare të BE ku shpjegohen sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë
*faksimile e faqes zyrtare të BE ku shpjegohen sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë

Shpjegimi vijon duke theksuar: “Shtetet anëtare të BE-së janë të autorizuara t’u japin anijeve me flamur rus hyrje në portet e BE-së, si dhe t’u lejojnë transportuesve rrugorë rusë hyrjen në BE për qëllime të importimit ose transportit të produkteve bujqësore, përfshirë fertilizuesit dhe grurin, që nuk janë subjekt i sanksioneve.”

Kjo vërteton se premisa mbi të cilën është ngritur akuza e gazetës malazeze, se import-eksporti i fertilizatorëve dhe grurit nuk lejohet me Rusinë për shkak të sanksioneve të vendosura nga BE-ja, është e pasaktë.

Lehtësim i mëtejshëm i tregtisë agrikulturore

Në paketën e 9-ë me sanksione ndaj Rusisë që BE-ja miratoi në datë 16 Dhjetor 2022, u vendos të lejohen përjashtime të veçanta, vlerësuar rast pas rasti, për një numër individësh dhe entitetesh të sanksionuar që janë të përfshirë në mënyrë të konsiderueshme në tregtinë ushqimore.

Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë të Punëve të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Joseph Borell, theksoi se ‘asnjë nga masat e marra kundër Rusisë pas nisjes së luftës në Ukrainë nuk synon në asnjë mënyrë tregtinë agrikulturore dhe produktet ushqimore, përfshi grurin dhe fertilizatorët, mes Rusisë dhe vendeve jo anëtare në Bashkimin Europian.

Pavarësisht kësaj, në mënyrë që të shmanget ndërprerja në kanalet furnizuese të produkteve agrikulturore, u vendos të lejohet zhbllokimi i aseteve dhe lejimi i aksesit në fonde, të individëve të caktuar të cilët kanë një rol të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe produkte ushqimore përfshi grurin dhe fertilizatorët.

*deklarata e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borell mbi paketën e 9-të të sanksioneve të vendosur ndaj Rusisë
*deklarata e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borell mbi paketën e 9-të të sanksioneve të vendosur ndaj Rusisë

Ballafaqim

Faktoje kontaktoi gazetën malazeze pobjeda.me për ta pyetur mbi faktet ku e ka bazuar pretendimin e ngritur në artikull. Në përgjigjen e marrë, redaksia e gazetës malazeze argumenton se bëhet fjalë për disa lloje specifikë fertilizuesi artificial, që kanë përmbajtje potasiumi.

Më saktësisht: sipas Vendimit të Bashkimit Evropian nga 8 Prilli 2022, nuk lejohet shitja e disa plehrave artificiale nga Rusia: klorur kaliumi  (numri tarifor: 3105 20), plehra minerale ose kimike që përmbajnë azot, fosfor dhe kalium ( 3105 20), plehra minerale ose kimike që përmbajnë fosfor dhe kalium (3105 60) dhe të gjithë plehrat e tjerë që përmbajnë klorur kaliumi (3105 90 20).” – shkruan në përgjgjen e tij gazetari Drasko Đuranović.

Edhe pse ky informacion nuk specifikohet në artikullin e publikuar në 16 Dhjetor, Faktoje verifikoi se sanksionet e vendosura nga BE-ja në 8 Prill ndaj Rusisë i përfshijnë produktet e sipërpërmendura si të ndaluara për t’u blerë, importuar apo transportuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte, si mallra që gjenerojnë të ardhura të mëdha për Rusinë, duke i lejuar të financojë veprimet e saj destabilizuese në Ukrainë.

*neni ku përcaktohet ndalimi i produkteve të listuara në Aneksin XXI
*neni ku përcaktohet ndalimi i produkteve të listuara në Aneksin XXI
*llojet e fertilizatorëve të përfshirë në Aneksin XXI
*llojet e fertilizatorëve të përfshirë në Aneksin XXI

Pavarësisht këtij parashikimi, vendimi i Komisionit Europian parashikonte edhe dy lehtësira lidhur me këto produkte.

Pika 3 e Artikullit 3i në vendimin (CFSP) 2022/578 thekson se ndalimi i këtyre produktevenuk do të zbatohet deri në 10 korrik 2022 për kontratat e lidhura përpara datës së marrjes së këtij vendimi, apo kontratave të reja që nevojiten për ekzekutimin e këtyre kontratave ekzistuese.

Njëkohësisht, pika 4 e këtij vendimi të BE-së parashikon se prej datës 10 Korrik 2022, ndalimi i produkteve të aneksit XXI, pjesë e së cilës janë edhe fertilizuesit e sipërlistuar, nuk do të zbatohen për importin, blerjen, transportin apo ofrimin e asistencës teknike e financiare të nevojshme për importin në union të:

  1. 837 570 metër tonë klorur kaliumi (potassium chloride) me kod CN 3104 20 midis 10 korrikut të një viti të caktuar dhe 9 korrikut të vitit pasardhës;
  2. 1 577 807 metër tonë të kombinuar, nga produktet e tjera të listuara në Aneksin XXI nën kodet CN 3105 20, 3105 60 dhe 3105 90 midis 10 korrikut të një viti të caktuar dhe 9 korrikut të vitit pasardhës;

Sic duket, kodet e produkteve që lejohen të importohen deri në një kuotë të caktuar në BE, janë ato të fertilizatorëve artificialë të listuar më sipër.

Përfundimi

Artikulli i publikuar nga gazeta malazeze “Pobjeda” ngre akuza të rënda për tre shtete të rajonit, bazuar mbi një informacion të pafaktuar. Artikulli i gazetës malazeze keqinformon lexuesit duke ofruar vetëm inofmracione të përgjithshme, pa shpjeguar për çfarë produkti të ndaluar bëhet fjalë.

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë të drejtë të vijojnë tregtinë me Federatën Rusë për produkte agrikulturore si gruri dhe fertilizuesit. Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian ndalojnë vetëm tregëtinë e disa fertilizuesve specifikë. Edhe ky bllokim është i shoqëruar nga disa kuota të caktuara, të lejuara të importohen dhe tregëtohen me Rusinë.

Pretendimi i ngritur nga gazeta malazeze, e përsëritur nga opozita shqiptare dhe shumëfishuar nga mediat, mbetet i pafaktuar. Kjo pasi gazeta nuk ofron asnjë provë që të vërtetojë se këto tre shtete kanë lejuar tregëtinë e produkteve të ndaluara.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor


ИзворFaktoje

Нашите вести во вашето сандаче

Секој ден во 17 ч. добивајте ги вестите од Новинската агенција Мета директно на вашата електронска адреса.

Ве молиме одберете на кој начин сакате да добивате информации од нас:
Можете да се отпишете од оваа листа преку линкот на крајот од нашите пораки.