SHGM dënon sulmet ndaj Jovanovskit dhe Triçkovskit dhe frikësimin e gazetarëve

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë u prononcua me dënim për “fushatën e frikësimit dhe nënçmimit të gazetarëve që ditëve të fundit në Shkup po e zhvillojnë persona të panjohur të frymëzuar nga deklaratat e kryetarit të VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski, i cili javën e shkuar thirri maqedonasit etnik përmes protestave të pengojnë opozitën të formojë qeveri me partitë shqiptare”. Shkak për reagimin janë provokimet e djeshme ndaj gazetarit Borjan Jovanovskit, i cili u sulmua në restorant dhe shqetësimi në shtëpinë e gazetarit Branko Triçkovski.

SHGM thotë se këto sulme janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes.

“Është akt qyqar që Gruevski t’i instrumentalizojë të rinjtë që të kryejnë vepra të pistë, duke i ekspozuar ata dhe familjet e tyre në rrezik për interesat e veta politike. Paralajmërojmë se këto provokime mund të përshkallëzohen në dhunë fizike ndaj gazetarëve me pasoja të paimagjinueshme. Është e paparamenduar në shekullin 21 në Maqedoni gazetarët të ekspozohen në rrezik dhe torturim për qëndrim të nxjerrë publikisht. Kjo fushatë e turpshme ka për qëllim që t’i frikësojë dhe heshtë gazetarët dhe qytetarët tjerë që nuk mendojnë si pushteti. Gruevski mirë e din se vetëm qytetarë të painformuar mund të manipulohen lehtë dhe të futen në konflikt”, thuhet në reagim.

Shoqata më e vjetër e gazetarisë në vend i bën thirrje Gruevski “që të ndërpres me përhapjen e gjuhës së urrejtjes që nxit dhunë dhe t’i qetësojë ithtarët e vet”. Kjo thirrje e SHGM-së ka të bëjë me të gjithë politikanët dhe figurat publike që të përmbahen nga ky fjalor jo i duhur.

SHGM apelon të gjithë gazetarët dhe mediat të informojnë profesionalisht dhe të mos i hedhin zjarrin benzinë.